Connect with us

Aktualitet

‘Jemi shoqëri ku dhuna bën lajm’/ Lubonja ngre shqetësimin: Ja ku është problemi

Analisti Fatos Lubonja e konsideroi si shqetësuese ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë, ku një nxënës 14-vjeçar u qëllua me thikë për vdekje nga një bashkëmoshatar i tij.

Lubonja tha se dikush mund të thotë se ngjarje të tilla ndodhin kudo në Botë, madje edhe në SHBA ku adoleshentët shfaqen me armë dhe bëjnë krime.

“Vrasje kishte dje, pardje, sot dhe kjo tregon se jemi një shoqëri ku dhuna bën lajm. Edhe në Itali ku jetoj unë ka vrasje, por përditë jo. Shqetësues është fakti se fëmijët ndikohen nga modelet e krimit. Kemi njerëz që bëhen të pasur përmes krimit, që prodhon dhunë. Atëherë këta fëmijët që presin të bëhen të rritur dhe shikojnë se si pasurohen këto modelet e krimit, rrjedhimisht që krijon probleme”, tha Lubonja.

Ai tha se bulizmi nëpër shkolla është tepër i madh, faktor kryesor. “Edukimi nis nga familja, por arsimimi është në shkolla. Tani duhet parë institucioni i familjes, sepse në jo pak raste ato që ne i quajmë biznesmenë duhen parë si e kanë bërë pasurinë e tyre, sepse mund të jenë kriminelë, që shfaqen si biznesmenë. Po të shkosh në qytete normale ka fusha sporti, parqe, sepse fëmijët kanë energji, ku do e shkarkojnë energjinë që kanë? Nëse këto fëmijë se kanë mundësi të shkojnë në një fushë futbolli apo basketbolli, atëherë diku do e shkarkojnë energjinë, duhet parë edhe në këtë aspekt”, tha Lubonja.

 

 

Po sa ndikojnë rrjetet sociale te fëmijët?

Lubonja tha se këto rrjete nuk janë hapur në Shqipëri, nuk i ka hapur as Kryeministri, por ne duhet të shikojmë se çfarë përgjegjësie kemi ne pikërisht për arsimin e fëmijëve. “Teknologjia ka prodhuar shumë probleme, por edhe një celular varet si e përdor”, tha Lubonja.

Sa i takon situatës me rendin dhe sigurinë, Lubonja tha se nuk është çështjes policie kjo që ndodh në Shqipëri. “Kur kriminelët kandidojnë dhe bëhen kryetar bashkie, pse një kriminel mos bëhet shef policie? Këtu flitet për bisedat në SKY ECC, aty dalin lidhjet. Të gjitha këto të japin perceptimin e një shteti ku krimi, shoqëria dhe shteti nuk ndahen dot. Krimi është poshtë, shteti është lart, por këtu krimi është bashkë me shoqërinë, politikën, administratën, qeverinë, opozitën. Kjo po i detyron edhe shqiptarët të largohen nga vendi”, tha Lubonja.

Advertisement