Shkrime
Jo ‘Asociacion’ por ‘Republikë Shqiptare’ në Maqedoni
Nga Kim mehmeti – Pa dyshim keni dëgjuar si partia shqiptare – të cilën kohë më parë e dëbuan nga koalicioni qeverisës – papritur iu ringjall damari i shqiptarisë dhe ka propozuar që edhe shqiptarët e Maqedonisë të kërkojnë atë që duan të realizojnë serbët e Kosovës – ‘Asociacion të Komunave Shqiptare’. Dhe ky nuk është rasti i parë që dëshmon se teksa janë në pushtet, partitë e shqiptarëve të Maqedonisë, shpërfaqen si shumë properëndimore e proshtetërore – duke u bërë të largëta për shqiptarët e shumë të përshtatshme për maqedonasit dhe për ‘miqtë tanë perëndimorë’ – dhe porsa mbeten në ‘rrugë’, u kujtohet se në të vërtet iu është dashur të jenë vetëm proshqiptare. Tani shtrohet pyetja e logjikshme: Ç’është ajo që partive të këtushme shqiptare ua paralizon nervin kombëtar e proshqiptar kur janë në pushtet, dhe kur janë në opozitë i bënë aq proshqiptare sa të bëjnë të mendosh se – për arsye kombëtare – mbase do ishte më mirë sikur atyre me ligj t’u ndalohej pjesëmarrja në qeveri?! Nuk ka dyshim se ‘tenderokracia’ është ajo që atyre ua ngulfat nervin shqiptarë për sa kohë janë në pushtet, kurse larg grazhdit të shtetit, atyre iu ngjellen ndjesitë kombëtare. Sidoqoftë duhet thënë se edhe kur janë në opozitë, pra edhe atëherë kur, si në rastin e lartë përmendur, vjedhin ide dhe projekte serbe, pra edhe atëherë kur mendërisht shpërfaqen si ‘serb të vonuar’, drejtuesit e partive shqiptare në Maqedoni, nuk e kanë guximin e mjeshtërve të destabilizimit të Ballkanit – të politikanëve serbë. Dhe duke qenë më frikacakë se ‘mentorët’ e tyre politik, ata edhe kur duan ta ndihmojnë qeverinë e Vetëvendosjes në Kosovë, bëjnë një gabim të pafalshëm: 30% e shqiptarëve të Maqedonisë i barazojnë me një autobus serbësh të Kosovës. Kështu, në vend që të kërkojnë atë që kanë realizuar serbët e Bosnjës – pra ‘Republikën Shqiptare’ në Maqedoni, ata dalin me kërkesa qesharake për ‘Asociacion Komunash’, gjë që u ka hije shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe atyre të Malit të Zi. Por sidoqoftë, edhe kjo kërkesë duhet parë nga këndvështrimi i mallit që partitë shqiptare shesin në tregun politik të Maqedonisë edhe atë atëherë kur kanë hallin e mbijetesë politike dhe kur mezi presin të rikthehen atje ku duan të mbeten përgjithmonë – pjesë e ‘vëllazërisë tenderokrate’.