Kosova
Joe Biden braktisi premtimin për Kosovën/ Analisti amerikan akuzon
Edward Joseph, ligjërues universitar dhe njohës i rrethanave politike në Ballkanin Perëndimor, në një intervistë për transmetuesin publik amerikan “PBS”, ka deklaruar se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e ka braktisur premtimin për të mbrojtur demokracinë kundër autokracisë në politikën ballkanike.
“Presidenti Biden gjithmonë e ka kuptuar drejtë rajonin. Ai e ka nisur presidencën me fjalët se ‘ne jemi në një luftë midis demokracisë dhe autokracisë’. Biden e ka kuptuar drejtë këtë, por administrata e tij ka gabuar plotësisht. SHBA i ka trajtuar fqinjët e Serbisë sipas një standardi shumë më të ashpër dhe më të lartë” – ka theksuar Joseph.
Duke komentuar mbi ciklin e fundit zgjedhor në Serbi dhe shkeljen e normave demokratike nga Partia Progresive Serbe, ai ka potencuar se Serbia është duke rrëshqitur gjithnjë e më shumë drejt autokracisë, teksa presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka vazhduar dominimin mbi skenën politike serbe, sipas modelit të instaluar nga kryeministri i Hungarisë.
“Presidenti Vuçiç është një autokrat klasik. Ai është duke u përpjekur të vendosë kontroll të plotë nën mbulesën e demokracisë. Dhe kjo është pikërisht ajo që ne kemi parë në zgjedhjet e fundit. Kjo është ajo që njihet si demokracia joliberale. Mësuesi i Vuçiçit është Viktor Orban”, ka nënvizuar profesori amerikan, ndërsa ka shtuar se kjo i përshtatet vetëm Rusisë.
Perspektiva e demokracisë në Serbi është ende e pasigurt. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorshme ndaj stabilitetit rajonal. Serbia, gjatë gjithë historisë, ka marshuar sipas një daulleje krejt të ndryshme nga perëndimi, duke rreshtuar veten krah Rusisë dhe Kinës.