Rajon
Joseph: Amerika nuk i toleron më manipulimet e Vuçiç
Ligjëruesi në Johns Hopkins University, Edward P. Joseph, është shprehur për të përditshmen serbe “Nova” se sanksionimi që i bëri ShBA-ja shefit të BIA-s, Aleksandër Vulin, është shenjë se nuk do të tolerohet më “manipulimi masiv i presidentit serb Aleksandër Vuçic”.
Ai i ka thënë ‘Nova-s’ se “ditët e përgjegjësisë kanë nisur” duke folur për politikat e papërgjegjshme të Vuçiç në raport me Kosovën.
Megjithëse e quan të vonuar sanksionimin e Vulin, Joseph është shprehur se ky është megjithatë një hap domethënës dhe i rëndësishëm.
“Unë besoj që vendimi për Vulin nuk është mesazh vetëm për presidentin Vuçic. Besoj që ai është mesazh edhe brenda vetë qeverisë së ShBA-ve. Besoj që vendimi ndaj Vulin, reflekton ndjesinë e niveleve më të larta të administratës Biden, Sekretarit Blinken dhe kolegëve tjerë në Shtëpinë e Bardhë – se ata nuk do të tolerojnë më manipulimet masive nga Vuçic,” – u shpreh z. Joseph në qëndrimin e tij.
Ai ka deklaruar në intervistë se shpreson që edhe ambasadori amerikan në Beograd, Hill do të pranojë dhe promovojë këtë qasje më realiste në bashkëpunimin mes Serbisë dhe Amerikës.
“Hill është diplomat me përvojë. Ai duhet të pranojë që Vucic është pengesë për bashkëpunimin serbo-amerikan.” – u shpreh Edward P. Joseph duke shtuar: Një politikan i mençur do ta distanconte veten prej Vulin, kurse Vucic bëri të kundërtën. Ambasada amerikane nuk mund ta injorojë një gjë të tillë. Zyrtarët amerikanë duhet ta vazhdojnë presionin që Vuçic ta heqë qafe Vulinin…”