Connect with us

Kosova

Ju e dini ç’duam/ Stano: Kosova dhe Serbia e kanë të qartë se çfarë pret BE-ja

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, është pyetur sërish për procesin e dialogut Kosovë-Serbi pas rundit të fundit të pasuksesshëm në Bruksel.

Stano tha se të dyja palët e kanë të qartë se çfarë presin shtetet anëtare nga Kosova dhe Serbia, duke refuzuar që të japë detaje të tjera në publik.

“Qëllimi i BE-së është që të zhvillojë dialogun aty ku i takon, që nënkupton prapa tryezës negociuese dhe jo në publik dhe jo në media”.

Ai ka përmendur edhe deklaratën e fundit nga shtetet anëtare që e lëshuan nga New York-u.

“Shtetet anëtare ishin shumë të qarta se çfarë presin nga të dyja palët që të bëjnë dhe e kanë theksuar shumë qartë se cila është rruga përpara dhe cilat janë pritjet nga të dyja palët. Pra, është në dorë të Serbisë dhe Kosovës që të sigurohen dhe të mbledhin përpjekjet më të mira të tyre për të ecur para. Palët e dinë se çfarë pritet të bëhet për të avancuar normalizimin e marrëdhënieve” – tha zëdhënësi i Bashkimit Europian

Të martën, Shërbimi Europian për Politikë të Jashtme publikoi një deklaratë të vendeve anëtare të BE-së, duke i bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të përmbushin detyrimet që dalin nga marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve.

Advertisement