Sport
Juventusi i falet Milik për tri pikët, Ramadani ‘zverdhet’ në Serie A – VIDEO
Juventusi fitoi 1-0 kundër Lecces për javën e gjashtë në Serie A. Në Torino vendosi goli i Arkadius Milik në minutën e 57 të takimit, për të bërë që “Zonja” të rikthehej te tri pikët e plota para tifozëve të saj. Pjesa e parë ishte e luftuar dhe me disa raste shënimi, me dy skuadrat që nuk dolën te goli. Duhej minuta e 57-të që polaku Milik të shtynte topin në rrjetë pas një aksioni të gjatë dhe pasimit final nga Rabiot. Në fushë për miqtë nga Puglia ishte edhe Ylber Ramadani, me mesfushorin e Kombëtares që luajti titullar dhe u zëvendësua pas 70 minutave lojë. Për t’u theksuar se “luftaraku” kuqezi u ndëshkua me karton të verdhë pas vetëm 30 minutave lojë. Pas humbjes 4-2 me Sassuolon në fundjavë, Juventusi bën autokritike dhe rikthehet te suksesi. Me 13 pikë, bardhezinjtë ngjiten përkohësisht në vendin e dytë, dy pikë më pak se Interi kryesues që luan nesër kundër Sassuolos. Nga ana tjetër, Lecce me 11 pikë pozicionohet në vendin e katërt në renditje.