Kosova
Ka pësuar goditje/ Politikani austriak për dialogun dhe vazhdimin
Deputeti i Partisë Popullore të Austrisë, Reinhold Lopatka ka shprehur shpresën se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të mbajtura në Serbi do të kontribuojnë për një fillim të ri në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për ruajtjen e paqes.
Lopatka tha se Bashkimi Evropian duhet t’i ofrojë Ballkanit Perëndimor një perspektivë të ndershme të anëtarësimit në BE, por edhe se rajoni duhet të arrijë përparim të dukshëm.
Lopatka theksoi se procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka pësuar disa goditje të rënda, prandaj ai shprehu shpresën se zgjedhjet e sapo përfunduara në Serbi do të kontribuojnë për një fillim të ri dhe paqe.
I pyetur nëse BE-ja është në gjendje ta bindë Kosovën që të ketë qasje të sinqertë ndaj dialogut, ai u përgjigj se BE është e përkushtuar fuqishëm për të, sepse edhe asaj i duhet të ketë sukses.
“Nëse ka përparim, para së gjithash është mirë për qytetarët e Serbisë dhe Kosovës, por edhe për BE-në. Nuk duhet të merremi me fajin reciprok, por të bëjmë përpjekje shtesë. Do të ishte turp nëse Ballkanit Perëndimor i mungon mundësia për t’u anëtarësuar në BE për shkak të mosrespektimit të detyrave të shtëpisë” – tha politikani austriak, i cili drejtoi misionin e vëzhguesve afatshkurtër të OEBS gjatë zgjedhjeve në Serbi.
I pyetur nëse marrëveshjet e arritura në dialog duhet të respektohen nga pala kosovare, ai publikisht është përgjigjur se – nëse është rënë dakord për diçka – vlen për të dyja palët.
“Nëse arrihet një marrëveshje, atëherë ajo duhet të zbatohet. Kur të lidhen kontratat, ato duhet të respektohen, kështu thoshin romakët e lashtë. Përndryshe, përparimi nuk është i mundur” – tha Lopatka.
I pyetur nëse pret që procesi i zgjerimit të mbetet prioritet i Komisionit Evropian pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, ai u shpreh se projekti i Bashkimit është i paplotë pa Ballkanin Perëndimor.