Connect with us

Kosova

Ka tradhti/ Lajcak dhe drafti i shpresës së thyer, ja dokumenti që ndau Kosovën

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, duke folur për Draftin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ka thënë se kurrë nuk do të propozonte diçka të cilën s’do t’ia propozonte Sllovakisë. Në një intervistë për Sbunker, Lajcak ka thënë se s’ka arsye për t’u frikësuar nga Drafti evropian.

“Më pëlqen diskutimi i cili bazohet në fakte. Pra, është vërtet mirë të flasim për atë që është në dokument. Dhe ju e dini, disa vende të rëndësishme kërkuan nga Qeveria e Kosovës që ta dërgojë këtë draft për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, që sigurisht është mënyra më e mire për të parë se sa ky dokument i plotëson kërkesat kushtetuese” – është shprehur Lajcak.

“Nuk ka asnjë arsye për t’u frikësuar nga ky dokument. Unë personalisht nuk do të propozoja kurrë diçka që nuk do ta propozoja për vendin tim, ose që e di që nuk do të përmbushë standardet evropiane, vlerat evropiane dhe praktikat evropiane”- ka theksuar emisari i cili gjithashtu ka folur edhe për historikun e Drafteve që janë bërë publike e që janë prezantuar në Bruksel.

Sllovaku ka përmendur draftin e Ekipit Menaxhues, duke thënë se ai s’kishte qenë i pranueshëm as për palën kosovare e as për Bashkimin Evropian.

Gjithashtu emisari i BE-së u shpreh se duke e parë situatën që palët s’do të hartonin ndonjë dokument për Asociacionin, në bashkëpunim me shtetet anëtare të Unionit dhe SHBA-të vendosën që BE të ndihmonte procesin dhe palët duke e hartuar statutin e Asociacionit.

“Ishte një proces shumë i përpunuar, shumë kohë dhe shumë i mundimshëm, me mbështetjen e ekspertëve të njohur ligjorë ndërkombëtarë dhe ekspertëve në fushën e mbrojtjes së pakicave, duke përfshirë ekspertë të Këshillit të Evropës dhe ekspertë ligjorë nga Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Franca dhe Italia”,- ka treguar emisari i Bashkimit Europian.

Advertisement