Connect with us

Kosova

Ka urdhëruar Vuçiç, Trajkoviç tregon planet e presidentit serb

Rada Trajkoviç, këshilltare e Ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, ndërsa ka komentuar vendimin e fundit të Listës Serbe – partia me mbështetjen më të madhe në mesin e komunitetit serb në Kosovë – për të bojkotuar procesin e votimit për shkarkimin e kryetarëve të komunave në Veri, ka potencuar se cikli i krizave aktuale në Veri të Kosovës vijnë për shkak se si kryeministri i Kosovës Albin Kurti si dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç duan dështimin e institucioneve multietnike në Kosovë.

“Vetëm kjo do të legjitimonte ambiciet e tyre më të gjera rajonale dhe do t’i kthente në modë kufijtë etnikë” – ka shkruar Trajkoviç në platformën sociale Facebook. Ajo ndër të tjera ka potencuar se serbët politikisht ende janë të varur nga Beogradi zyrtar.

“Jetesa e tyre tani më shumë se kurrë varet nga shteti serb. Është naive të besosh ndryshe” – ka theksuar Trajkoviç Lista Serbe të dielën paralajmëroi se s’do të marrë pjesë në referendumin që pritet të mbahet më 21 prill në katër komunat veriore të Kosovës, teksa fajësoi kryeministrin Albin Kurti, duke shtuar se janë planifikuar procedura të pamundura për largimin e kryetarëve.

BE-ja në anën tjetër apeloi Listën Serbe që të rishqyrtojë vendimin për mospjesëmarrje në votimet për shkarkimin e kryetarëve në Veri të vendit, duke rikujtuar se pjesëmarrja e qytetarëve serbë që përbëjnë shumicën në pjesën veriore të Kosovës në jetën demokratike në Kosovë është në interes të tyre dhe një hap i nevojshëm për zbutjen e tensioneve.

Ndërkaq Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehën keqardhje që Lista Serbe nuk e përkrah votimin për shkarkimin e katër kryetarëve në Veri.

“Na vjen keq për deklaratën e Listës Serbe se ata do të tërhiqen nga pjesëmarrja në votimin për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore. Presim që Qeveria e Kosovës të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj në Veri të Kosovës gjatë gjithë këtij procesi.

Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë do të vazhdojnë ta ndjekin këtë proces nga afër”- thuhej në një përgjigje të Ambasadës së SHBA-ve për mediat në Prishtinë.

Në bazë të udhëzimit administrativ që mundëson largimin e kryetarëve të komunave nga shtatori i vitit të kaluar, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote që referendumi të ketë sukses. Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

 

Advertisement