Connect with us

Aktualitet

KAH PO SHKOJMË

Qofsha i gabuar, ama gjithnjë e më shumë po më duket sikur kjo Maqedonia jonë (e Veriut), përherë e më shumë po bëhet si kjo Amerika e Trumpit: Në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm. Dhe, falë kryeministrit Hristijan Mickoski dhe partisë së tij VMRO-DPMNE! Gjatë këtyre nëntë muajve të qeverisjes, na shpërfaqet një koalicion i fshehtë mes dy partive maqedonase – VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së me mision për t’ua “treguar vendin shqiptarëve”, por edhe për të qenë më afër – “nënës Rusi”. Partneri shqiptar, prandaj del gjithnjë e më shumë në rolin e çirakut që, po duket ashiqare, nuk ka – as dije, as takat, pa çka se e ka mbështetjen e Prishtinës!

Shkruan: Seladin Xhezairi

Nëse për diçka mund të duartrokitet VMRO-DPMNE-ja dhe numri një i saj, Hristijan Mickoski, është se me hapa të sigurt po realizon programin e vet parazgjedhor për t’ia kthyer Maqedoninë popullit (maqedonas)! Riorgarnizimi i kabinetit qeverisës, krasitja e disa ministrive nga kopentencat dhe bartja e tyre në dikastere të tjera, ndarja e kulaçit qeverisës me partnerin e përzgjedhur nga taborri shqiptar, duket se është pikërisht në funksion të kursit të përcaktuar të partisë maqedonase në pushtet. Shi për këtë, thirrjen për “moratorium për çështjet etnike” që kryeministri Mickoski e lëshoi në ditët e para nga marrja e mandatit, mbase mund të ketë qenë joshje për grupimin politik Vlen për shkak se, nëse do të kishte vazhduar, sot do të mund të arsyetohej se “kjo që e kemi trashëguar nuk po preket”! Fatkeqësisht, në rastin konkret, po vjen në shprehje ajo e njohura – se katundi që duket, kallauz nuk do! Dikasteret ministrore që iu dhanë grupimit politik Vlen, paraprakisht, sikurse thamë, u zhveshën nga shumë kompetenca.

Kjo një.

E dyta, po nga pushteti qendror u vetëshkel i ashtuquajturi moratorium për çështjet etnike, duke prekur seriozisht themelet e Marrëveshjes së Ohrit, përmes anulimit të Balanserit, anashkalimit të pozicionimit të shqiptarëve (të Vlenit) në levat drejtuese të sistemit dhe në prekjen e përdorimit zyrtar edhe të gjuhës shqipe! Tabelat rrugore janë treguesi më i mirë se ç’kurs ka pushteti qendror karshi shqiptarëve. Madje, sikur po tentohet që përmes tyre, me heqjen e shqipes, të futet në përdorim – serbishtja! Po të kaloni nga aeroporti i Shkupit për në Tetovë, ta zëmë, Prishtina figuron më shumë si Priština e Pristina! Për të mos besuar se kryeministri Mickoski mori krahë nga konferenca e përbashkët e shtypit, në Prishtinë, nga homologu i tij Kosovar, Albin Kurti, se si gjuha shqipe nukk na qenka zyrtare e se nuk paska ligj për të e as Agjenci, e as Inspektorat!?

Në planin e jashtëm, po ashtu, vëhet re një zbythje, e rrezikshme, për një vend që zyrtarisht pohon se mbetet i përkushtuar për tu bërë pjesë e familjes evropiane, por që, në fakt, me veprimet, sidomos kohët e fundit, lë shumë për të dëashiruar. Maqedonia e Veriut e ka kaçikun e vogël për tu “matur me të mëdhenjtë”, si kur është fjala për ftesën që ia bëri Milorad Dodikut të vijë në Shkup, për votimin në OKB, apo edhe për forcimin e lidhjeve në trekëndëshin Shkup-Beograd-Budapest!

Prandaj, qofsha i gabuar, ama gjithnjë e më shumë po më duket sikur kjo Maqedonia jonë (e Veriut), përherë e më shumë po bëhet si kjo Amerika e Trumpit: Në planin e brendshëm dhe atë të jashtëm. Dhe, falë kryeministrit Hristijan Mickoski dhe partisë së tij VMRO-DPMNE! Pa çka se kjo mund të jetë e kushtueshme, në radhë të parë për stabilitetin e brendshëm, e besa edhe më shumë se kaq: Gjatë këtyre nëntë muajve të qeverisjes, na shpërfaqet një koalicion i fshehtë mes dy partive maqedonase – VMRO-DPMNEsë dhe LSDM-së me mision për t’ua “treguar vendin shqiptarëve”, por edhe për të qenë më afër – “nënës Rusi”. Partneri shqiptar, ashiqare, del gjithnjë e më shumë në rolin e çirakut që nuk ka – as dije as takat!

Advertisement