Shkrime
Kajsiu: Republika e Prokurorëve apo Republika e Korrupsionit?
Po të dëgjosh kryeministrin, dhe mediat që i bëjnë fresk, rreziku më i madh që i kanoset Shqipërisë është Republika e Prokurorëve. Sipas tyre vendi është në prag të një regjimi të ri politik ku nuk qeverisin qytetarët por prokurorët e SPAK-ut.
Ndaj ky nxitim i qeverisë Rama për ta shpëtuar Shqipërinë nga një fenomen që nuk ekziston duket i dyshimtë, vecanërisht sot kur drejtësia po heton dhe zbulon afera korruptive në nivelet më të larta të ekzekutivit. Aq më tepër kur ajo që e rrezikon demokracinë shqiptare sot është Republika e Korrupsionit dhe jo Republika e Prokurorëve.
Është një sistem politik ku buxheti dhe paraja publike përdoret për të kapur ose krijuar biznese, media dhe vota nëpërmjet manipulimit të tenderave, koncesioneve dhe politikave publike në funksion të interesave të ngushta dhe në kurriz të interesit publik.
Natyrisht që korrupsion ka në cdo sistem demokratik, edhe në ato perëndimorë. Problemi është se në rastin e Shqipërisë kemi arritur në pikën ku nuk mund të qeveriset pa korrupsion. Qeverisja dhe korrupsioni janë bërë dy faqe të së njëjtës medalje.
Pyetja që shtrohet sot nuk është a ka korrupsion në qeverisje, por a ka ndonjë aspekt të qeverisjes pa korrupsion? A ekziston në Republikën Shqiptare sot qoftë edhe një tender, koncesion apo prokurim i vetëm që nuk është korruptiv, i manipuluar apo i paracaktuar?
A ka ndonjë tender, qoftë në nivel qendror apo lokal, që jepet me garë të nderëshme, sipas ligjit dhe procedurës, pa korrupsion, pa ndërhyrje nga lart, dhe në funksion të interesit publik?
Është bërë thuajse e pamundur ti përgjigjesh pozitivisht kësaj pyetje.
Nuk janë vetëm tenderat e hetuara nga SPAK ku është përfshirë Balluku dhe stafi i saj, por edhe tendera si ai i Aeroportit të Vlorës ku doli se ishte fituar nga një firmë turke fantazëm për tia lënë tenderin më pas dy ortakëve shqiptar.
Është edhe TEC-i lundrues në Vlorë që më shumë se energji ka prodhuar korrupsion. Është edhe tenderi i portit të Durrësit ku u skualifikuan firma prestigjoze evropiane dhe fitoi një firmë e regjistruar offshore në Qipro me pronarë anonim.
Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për tenderat. Edhe politikat strategjike për promovimin e turizmit janë të gjitha të zhytura në mungesë transparence dhe konflikt interesi. Nën politikën e investitorëve strategjik qeveria Rama i ka dhuruar me miliona metra katror truall publik firmave private në mungesë totale të transparencës dhe shpesh në konflikt të hapur interesi, që nga hapësirat që kanë përfituar në bregdet biznese pranë qeverisë deri tek dhurimi i portit të Durrësit një firme private në kuadrin e projektit të Marinës.
Pa përmendur këtu rastin e Sazanit apo të Zvërnecit që kryeministri i trajton si prona private që mund tia dhurojë familjes Trump në mungesë të plotë të informacionit për publikun.
Në fakt sa herë qeveria Rama prodhon një ligj apo politikë të re mbas saj gjithmonë nxjerrin kokën interesa private dhe emra konkret që përfitojnë në kurriz të interesit publik. Rasti i fundit ishte ndryshimi i Ligjit për Zonat e Mbrojtuara që u miratua në vitin 2024, pavarësisht kundërshtimeve të shoqërisë civile dhe të institucioneve evropiane. Ky ligj i mundësoi klientelës së qeverisë të ndërtojë në zona të mbrojtura sic ishte parku kombëtar i Butrintit.
Nuk po argumentoj se qeveria Rama nuk ka bërë asnjë politikë në shërbim të qytetarëve. Natyrisht ka plot politika të tilla, sic është e-Albania që e ka përmirësuar jetën e qytetarëve. Dhe në këtë pikë qeveria me të drejtë mund të krenohej dhe është krenuar për dixhitalizimin e dokumentacionit qytetar.
Ama edhe ajo që mund të cilësohej si një nga politikat më të suksesshme të qeverisë aktuale është e zhytur në korrupsion. Mjafton të shikosh ato që kanë nxjerrë në pah hetimet e SPAK tek AKSHI (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit) institucioni përgjegjës për e-Albania. Nuk bëhet fjalë thjesht për korrupsion por edhe për kapjen e këtij institucioni dhe e të gjithë sistemit nga elementët kriminal.
Në qeverisjen aktuale është gjithnjë e më e vështirë të gjesh qoftë edhe një ishull të vetëm integriteti dhe ndershmërie, një institucion sado i vogël dhe modest, ku mund të thuash pa frikë se pushteti ushtrohet sipas ligjit, në funksion të interesit publik, ku ka meritokraci dhe konkurrencë të nderëshme dhe jo korrupsion e kapje të shtetit nga interesa private.
Ndaj ajo që po konsolidohet sot në Shqipëri është Republika e Korrupsionit dhe jo ajo e prokurorëve. Është korruptokracia dhe jo prokurokracia ajo që po e shkatërron shtetin dhe demokracinë tonë.
Nuk është cudi që rinia dhe pjesa më e kualifikuar dhe dinjitoze e shoqërisë shqiptare po braktis jo vetëm administratën publike por edhe vendin. Në Shtetin, Qeverinë dhe Partinë Socialiste është bërë gjithnjë e më e pamundur të ruash dinjitetin, të respektosh ligjin, interesin publik dhe veten dhe të bësh karrierë.
Republika e Korrupsionit, dhe jo ajo e prokurorëve, është rreziku më i madh që i kanoset demokracisë dhe shoqërisë shqiptare sot. Kemi të bëjmë me një kërcënim jo thjesht politik por edhe fizik që po zbraz vendin dhe rrezikon jetën e qytetarëve.
Penetrimi dhe kontrolli i e-Albania nga elementët kriminal vë në rrezik informacionin dhe privatësinë e qytetarëve shqiptar, të dhënat e të cilëve mund të kontrollohen nga krimi. Infrastruktura e ndërtuar në mënyrë korruptive me tendera të manipuluar duhet hetuar me themel sepse pasi prodhon rrugë, ura dhe tunele që nesër mund të shemben, apo unaza që në vend që ta shfryjnë e bllokojnë trafikun.
Në këto 35 vite tranzicion Shqipëria është transformuar gradualisht nga një Republikë Parlamentare, në një Republikë Kryeministrore që ka pjellë një Republikë Korrupsioni, ku interesi publik, ligji, procedura, konkurrenca e nderëshme dhe meritokracia janë zëvendësuar me vullnetin, egon dhe interesin e pushtetarit dhe të klientelës së tij.
Në këto kushte nxitimi i qeverisë Rama për të bllokuar pezullimin e ministrave që hetohen për korrupsion nga SPAK-u nuk mund të shitet si një përpjekje për konsolidimin e shtetit ligjor dhe të demokracisë.
Aq më tepër në një sistem politik ku nuk funksionon as presioni partiak dhe as ai mediatik për largimin nga posti të një ministri të përfshirë në skandale korruptive. Në një demokraci të konsoliduar, si ajo e Britanisë për shembull, pezullimi i Ballukut nga gjyqësori do ishte krejtësisht i panevojshëm sepse vetë partia në pushtet, parlamenti, ose mediat dhe opinioni publik, do ta kishin detyruar të dorëhiqej.
Ama në Shqipëri një ministre si Balluku e përfshirë në një mega skandal mund të vazhdojë në pushtet sepse fati i saj politik varet vetëm nga vullneti dhe interesi i kryeministrit. Nuk ka një Parti Socialiste që ti kërkojë llogari, as një parlament që mbikëqyr ekzekutivin, dhe as media të pavaruara dhe të besueshme që mund të formësojnë një protestë tek opinioni publik. Publiku shqiptar prej kohësh është thërrmuar në sitën e klientelizmit shtetëror dhe partiak.
Prandaj është SPAK-u që kërkon pezullimin e Ballukut sipas një llogjike juridike, edhe pse ky pezullim duhet të ishte bërë prej kohësh nga vetë kryeministri sipas një standarti minimal demokratik.
Por në vend që të pezullojë Ballukun kryeministri Rama ka vendosur të bllokojë SPAK-un duke i hequr mundësinë e pezullimit të ministrave që janë të pandehur për korrupsion, cka e vështirëson hetimin e tyre. Pra ka vendosur të blindojë Republikën e Korrupsionit, që mesa duket e paska marrë peng edhe atë vetë.