Kosova
Kali i Trojës dhe Veza e Qyqes në Kosovë
Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi deklaroi se kërkesat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk kanë për qëllim integrimin e serbëve lokalë, por sipas tij, synimi është të vendoset një “Kalë i Trojës” në Kosovë.
Ai ka thënë se krijimi i Asociacionit është i domosdoshëm për politikë-bërësit serbë, pasi “ofron një bërthamë për qëllimin shekullor të bashkimit të kombit serb”.
Bislimi është mbështetur edhe në një “non paper” të kohëve të fundit të hartuar nga Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve, i cili siç ka thënë, shpjegon në mënyrë të përsosur këmbënguljen e Beogradit për Asociacionin.
“Kjo autonomi do të bëjë që serbët të kenë zero nevojë për të ndërvepruar me Qeverinë e Kosovës, duke e bërë kështu Asociacionin një ‘vezë qyqeje’ në territorin e Kosovës. Serbia beson se avantazhi kryesor krahasues që ka aktualisht dhe duhet ta shfrytëzojë, është epërsia ekonomike në rajon. Në rrethanat aktuale, qëllimi përfundimtar i “botës serbe” nuk mund të realizohet vetëm me mjete politike. Duhet të shfrytëzohen edhe mjete të tjera, duke përfshirë mekanizmat fetarë me potencial për ndikim politik në vendet fqinje ku vepron Kisha Ortodokse Serbe”, ka përfunduar Bislimi.