Connect with us

Kosova

KALLAS CAKTON EMISARIN/ Bën zgjedhje për dialogun Kosovë-Serbi

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, do të zgjedhë diplomatin danez, Peter Sorensen, në postin e emisarit të posaçëm të BE-së për dialogun e normalizimit Kosovë-Serbi, ka shkruar Radio Evropa e Lirë.

Sorensen, ish-përfaqësues special i BE-së për Bosnje dhe Hercegovinën, ka gjasa që shumë shpejtë të marrë pozitën e mediatorit. Në pesë vjetët e fundit, në këtë pozitë ka qenë diplomati sllovak, Miroslav Lajçak, i cili ka luajtur një rol kyç në përpjekjet evropiane për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Ai ka shërbyer si emisar special i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi. Përveç kësaj, diplomati danez ka qenë i angazhuar edhe në misionin e OSBE-së në Kroaci. Gjithashtu, ai ka qenë shef i delegacionit të BE-së në Maqedoninë e Veriut. Sorensen aktualisht është këshilltar në Shërbimin e Jashtëm të BE-së për diplomaci digjitale.

Në artikullin e REL-it paralajmërohen përpjekje për “ringjalljen e negociatave” në nivelin më të lartë pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, të cilat janë caktuar për 9 shkurt 2025. E pas ciklit të ri zgjedhor, gjithashtu, pritet që shefja e re e diplomacisë evropiane të realizojë turneun e parë të saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ndryshe, pavarësisht se Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje në fillim të vitit të kaluar, fillimisht në Bruksel, pastaj në Ohër, dhe përkundër insistimit të diplomatëve perëndimorë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, ajo nuk është zbatuar, derisa tensionet mes dy fqinjëve vazhdojnë të rriten.

Advertisement