Shkrime
Kalorësit e Apokalipsit politik serb betohen
Nga Milojko Pantiç
Pas një pauze disa mujore dhe tre takimeve të pasuksesshme mes presidentit antikushtetues të Serbisë dhe kryeministrit të Kosovës, në Bruksel u mbajt një takim në përpjekje për të ringjallur rrugën e përcaktuar deri më tani drejt normalizimit të marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën.
Çdo herë, prej 12 vitesh, kur organizohen takime të tilla, pyes veten si ka mundësi që zyrtarët e Bashkimit Evropian të mos e kuptojnë se është e pamundur të bëhet ndonjë marrëveshje detyruese me një huligan futbolli të parealizuar në postin e presidentit të Serbisë. Kjo është e pamundur për dy arsye.
Së pari, sipas Kushtetutës së Serbisë, ai nuk është kompetent për marrëveshje të tilla dhe së dyti, ka qenë ministër në qeverinë e Millosheviçit, i cili i ka dëbuar shqiptarët nga Kosova dhe vazhdimisht thekson se kurrë nuk do ta njohë Kosovën të pavarur.
A ka mundësi që zyrtarët evropianë të mos e shohin dhe të tolerojnë atë që ai ka bërë në Serbi dhe që të gjitha ato që bën, i bën për motive të ulëta me ndihmën e kuplerasë gjoja demokraci.
Ai uzurpoi të gjithë pushtetin, atë parlamentar, ekzekutiv dhe gjyqësor. Ai nënshtroi të gjitha mediat, bankën kombëtare dhe buxhetin e Qeverisë së Serbisë.
Ai ndërtoi spitale, shpesh me donacione nga Bashkimi Evropian, në të cilët nuk ka kush të punojë. Po ashtu me kredi apo fonde nga Bashkimi Europian, ai ndërtoi autostrada në të cilat askush nuk mund të lëvizë.
Tani, edhe në bashkëpunim me BE-në, e cila i ka caktuar organizimin e Expo 2027, po ndërton stadiume futbolli, duke përfshirë edhe ato kombëtare, ku nuk do të ketë kush të luajë apo të shikojë.
A po pyesin ata europianë në emër të kujt dhe sipas cilit ligji po negocion me ta. Fushata e fundit e një lloj bote serbe të përbërë nga shokët e saj-kriminelë nga Bosnje-Hercegovina dhe Mali i Zi, i quajtur “Parlamenti Gjithëserb”, është në të vërtetë vala e fundit e banalitetit nacional-shovinist, që bluzon, ngatërron dhe helmon shpirtrat, vetëdijen dhe arsyeja e qytetarëve të Serbisë.
Çdo njeri i arsyeshëm pyet veten pse negociatorët evropianë nuk shohin se te Vuçiç kanë të bëjnë me një mjeshtër psikodelik.
Duke shpërdoruar rregullat demokratike, ai fitoi një pushtet të tillë, sa u mundësoi ndjekësve të tij, kriminelëve dhe hajdutëve, t’i kthenin institucionet shtetërore në “shtëpi të sigurta” për djemtë, vëllezërit, vajzat, gratë dhe dashnorët e tyre.
Për një kohë të gjatë, faktorët ndërkombëtarë i mbyllën sytë para “cezarizmit” të tij në qeverisjen e Serbisë, duke e lajkatur atë sikur të ishte vërtet një burrë shteti.
Dhe tani ai dëshiron që saga e Kosovës të përfundojë me nënshkrimin e tij të një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme për të dyja palët.
Huligani i parealizuar i futbollit në postin e presidentit të Serbisë, duke deklaruar se ata në Perëndim mezi e presin nënshkrimin e tij në një dokument të tillë, për t’i parë më pas shpinën, tregon se është i vetëdijshëm për fatin e tij. Prandaj ai mundohet me çdo mënyrë që të “qëndrojë mbi shalën e kalit” sa më gjatë.
“Mbreti” i demokracisë serbe, kur erdhi në pushtet në vitin 2012, deklaroi se do t’i përmbahej etikës protestante të përgjegjësisë së Max Weber. Në vend të kësaj, ai po zbaton filozofinë e tij të jetës së fiseve afrikane zulu, e cila thotë se është mirë kur vrasim të tjerët dhe e keqe kur të tjerët na vrasin.
Në një fjalim me rastin e përvjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s në ish Jugosllavi, ai tha se Perëndimi duhet të pranojë se ka kryer një krim ndaj Serbisë dhe se ka ardhur koha ta pranojnë dhe ta paguajnë.
Paskësaj lind një pyetje logjike: kur do ta pranojë studenti i kriminelit të luftës Sheshel se të gjithë së bashku, duke mbështetur kryekomandantin Sllobodan Millosheviq gjatë luftërave në Kroaci, Bosnje-Hercegovinë dhe Kosovë, kanë kryer krimet më të mëdha në Evropë që nga fundi i Luftës së Dyte Boterore.
Valët e fundit të nacional-shovinizmit tregojnë qartë se ata që na futën në luftë me gjithë botën, shkaktuan bombardimin dhe humbjen e Kosovës, as nuk munden dhe as nuk duan t’u ofrojnë qytetarëve paqe dhe stabilitet.
Kalorësit e Apokalipsit politik serb do ta “mbrojnë” Kosovën deri në serbin e fundit të gjallë.