Politike
‘Kam zgjedhur të jem baba dhe jo burrë’/ Mesazhi prekës i të ndjerit Gerti Bogdani
Dy ditë më parë, ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, u nda nga jeta në moshën 44-vjeçare, për shkak të një arresti kardiak.
Të shumta kanë qenë pjesë nga intervistat që ai ka dhënë në media, të cilat janë publikuar në nderim të figurës së tij.
Në videon e publikuar, tregon edhe një herë njeriun qytetar dhe familjar që ai përfaqësonte.
Teksa ka treguar një episod që ka ndodhur, Gerti Bogdani, thekson se në një bisedë me një figurë të njohur, ky i fundit i kishte thënë se kishte zgjedhur të ishte burrë, ndërsa Gerti i kishte thënë që nxitonte pasi do të merrte vajzën nga shkolla.
“Me dike të njohur publik më tha që këto punë ja kishte lënë gruas dhe vjehrrës. ‘Kam zgjedhur të jem burrë’, tha ai, ndërkohë ju përgjigja që unë kam zgjedhur të jemi baba. Pas asaj dite nuk përshëndetemi më, pasi mesa duket nuk i ka pëlqyer përgjigja ime”, shprehej Gerti Bogdani teksa më tej theksoi:
“Në radhë të parë jemi prindër dhe gjëja më e vyer që ne i sjellim botës janë fëmijët. Ata janë dhurata më e madhe që ne na bën Zoti dhe që ne më pas i sjellim shoqërisë, dhe si të tillë duhen ruajtur si të çmuar. Kur dhurata më e madhe është aty, ne duhet të sillemi si prindër dhe jo si burrë. Sa më parë ta kuptojnë sidomos shqiptarët këtë gjë, aq më e mirë do jetë bota nesër”.