Connect with us

Kosova

Kamala Harris vazhdon presionin ndaj Beogradit për Kosovën, me Trump do të kishte lehtësim

Analisti dhe njohësi i skenës politike amerikane, Obrad Kesiç, në një intervistë për Novosti-n vlerësoi se fitorja e Kamala Harris në zgjedhjet presidenciale në SHBA do të nënkuptonte vazhdimin e presionit ndaj Beogradit për Kosovën, por edhe ndaj Banja Lukës, ndërsa me Donald Trump si president i SHBA-së, do te kishte lehtësim.

Ai theksoi se me ardhjen e Trump në postin e presidentit do të kishte më pak këmbëngulje për centralizimin e Bosnje Hercegovines dhe do të kishte më pak mbështetje për Prishtinën, ndërsa Serbia do të merrte më shumë mbështetje në politikën e jashtme.

“Vizita e djalit të Trump në Beograd ishte një tregues i atij interesi politik. Në fund të fundit, paniku në Sarajevë dhe Prishtinë për kthimin e mundshëm të Trump në Shtëpinë e Bardhë nuk është rastësi.” – potencoi Kesiç

I pyetur nëse frika e NATO-s dhe BE-së për ardhjen e Trump në pushtet eshte e justifikuar, Kesiç u shpreh se situata aktuale në NATO është ekonomikisht e paqëndrueshme me çekun bosh si pasoje e ndihmës se deritanishme për Ukrainën.

Duke komentuar samitin në BRICS, Kesiç tha se pas kthesës së Evropës në të djathtë, dështimit të Perëndimit në luftën në Ukrainë, mbështetjes jopopullore për Izraelin, fitorja e Trump do të trondiste elitën globaliste.

“Kjo do të thellonte ndarjet në BE sepse mund të krijoheshin lidhje më të forta midis konservatorëve në të dy anët e Atlantikut dhe të prishnin mendimin idilik se demokracia liberale është e vetmja ideologji. Mund të presim një krijimi më të shpejtë të një bote shumëpolare, përmirësimin e marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën” – deklaroi Kesiç

Advertisement