Connect with us

Rajon

Kandiç: Të paktën një shkollë në Serbi duhet të mbajë emrin “Ismail Kadare”

Natasha Kandiç, nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka thënë se të paktën një shkollë në Serbi duhet të mbajë emrin e shkrimtarit shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, I cili lexohet nga popujt e të dyja vendeve

Ky reagim i saj vjen pasi dje në Kuvendin Komunal të Bujanocit është votuar që shkolla e një prej fshatrave të Luginës së Preshevës të mbajë emrin e shkrimtarit Ismail Kadare.

Kandiç, e cila përcjell në mënyrë aktive zhvillimet politike dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se njohja de-fakto e Kosovës nga Serbia është gur themeli për raporte të mira mes dy shteteve.

Ajo ka shkruar se është e rëndësishme që të hiqet nga diskursi publik dhe politik përdorimi i gjuhës së urrejtjes, teksa dhe ka përmendur referencën e Serbisë për Republikën e Kosovës “si e ashtuquajtura”.

“Është e rëndësishme që në Serbi, diskursi publik dhe politik të largohet nga përdorimi i gjuhës së urrejtjes – i ashtuquajturi shteti i Kosovës, i ashtuquajturi kryeministër , të ashtuquajturit shqiptarë…” – ka shkruar Kandiç.

Më herët, ajo ka dalë me një porosi për presidentin serb Aleksandër Vuçiç, para takimit të këtij të fundit në Bruksel me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Kandiç i ka propozuar presidentit serb, që takimin ta nis me një deklaratë, që ka të bëjë me ndërtimin e një memoriali në Batajnicë, ku u groposën dhe u dogjën kufomat e viktimave civile shqiptare të vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Advertisement