Politike
Kandidat të përbashkët me opozitën? Lëvizja Bashkë zbulon detaje nga zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës

Lëvizja Bashkë ka konfirmuar se do të ketë kandidatin e saj në zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës. Deputeti i kësaj parties, Redi Muçi, ka përjashtuar mundësinë e një kandidati të përbashkët me opozitën tradicionale. Sipas tij, kryeqyteti është bastioni i Lëvizjes Bashkë, ku kanë mbështetjen më të madhe qytetare.
“Ne në Tiranë kemi mbështetjen tonë kryesore. Për hir të së vërtetës PS krahasimisht me 4 vite më parë pësoi humbje dhe një pjesë e mirë e qytetarëve të Tiranës që dikur kanë votuar PS-në e kanë kthyer votën te Lëvizja Bashkë. Tirana është bastioni ynë kemi mbështetje të madhe dhe gjithmonë për qytetarët e Tiranës do kemi një alternativë, pavarësisht faktit që fushatat kanë kosto financiare dhe të energjive që shpenzojmë. Megjithatë ne jemi të gatshëm të hidhemi në fushatën e radhës kurdo që mbahen zgjedhjet në Tiranë. Do kemi kandidatin tonë”, pohoi Muçi.
I pyetur për kandidatin potencial që do të garojë në zgjedhjet për Tiranën, ai nuk e përjashtoi mundësinë që në garë të jetë kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori. Megjithatë, ai tha se zgjedhja do të diskutohet në strukturat e partisë për ta shpallur më pas zyrtarisht.
“Këtë do ta diskutojmë në strukturat e partisë kur të shpallen zyrtarisht zgjedhjet. Ende nuk e kemi vendosur. Mund të jetë dhe Arlindi”, tha Muçi.
Kjo lëvizje vjen si pasojë e vendimit të njoftuar nga kryeministri Edi Rama për nisjen e procedurave për shkarkimin e Erion Veliajt si kryetar i bashkisë së Tiranës me qëllimin e kandidimit të Ogerta Manastirliut në vendin e tij në zgjedhjet që pritet të mbahen. Ndërksa nga kampi blu, nuk ka ende një emër të zyrtarizuar, teksa flitet që edhe PD mund të garojë me një grua. Jorida Tabaku është emri që po kuotohet më së shumti në rradhët e demokratëve.

