Aktualitet
Kaos dhe terror ne Southport/Sulmi me thikë, i vihet flaka stacionit policor
Një stacion policie u plaçkit dhe u dogj ndërsa protestuesit u përleshën me policinë në Sunderland gjatë një demonstrate të lidhur me sulmin me thikë që si autor të dyshuar kishte një 17-vjeçar. Ngjarja ndodhi në Southport të hënën e kaluar.
Qindra njerëz dolën në rrugë për një ditë tjetër protestash në Britani pasi tre vajza u vranë në një klasë kërcimi me temë Taylor Swift në Southport, por nuk u desh shumë që situata të dilte jashtë kontrollit. Protestuesit përmbysën një makinë përpara se t’i vunë flakën në qendër të qytetit Sunderland, ndërsa të tjerët sulmuan policinë e armatosur.
Stacioni i policisë në Sunderland në Waterloo Place u plaçkit dhe u dogj. Policia që merret me trazirat në Sunderland po përballet me “abuzime të rënda”, ka thënë Policia e Northumbria. “Skenat që po shohim janë krejtësisht të papranueshme dhe nuk do të tolerohen. Garantimi i sigurisë së publikut është prioriteti ynë më i lartë”, thanë autoritetet, ndërsa sekretarja britanike e Brendshme Yvette Cooper theksoi se kriminelët që shkaktojnë telashe në Sunderland do të paguajnë, duke vënë në dukje se policia kishte mbështetjen e qeverisë për të marrë masat më të forta të mundshme.
Disa rrugë të qytetit i ngjanin një peizazhi të bombarduar, ndërsa të rinjtë duke përfituar nga kaosi hynë në dyqane dhe vodhën mallra. Tetë persona janë arrestuar për një sërë veprash, duke përfshirë vjedhjet, në trazirat që shpërthyen në Sunderland.
Policia e Northumbria tha se tre oficerë u plagosën dhe u dërguan në spital. Përleshje ndodhën edhe në Liverpool mes protestuesve dhe kundërprotestuesve që mbronin një xhami. Aktivistët antifashistë, të cilët numëronin rreth 200 persona, brohoritën “Nazistët larg rrugëve tona”. Më shumë se 50 policë janë plagosur dhe dhjetëra protestues janë arrestuar në trazirat deri më tani.