Aktualitet
Kaos në burgun famëkeq/ Mafiozi shqiptar merr peng rojet për tju marrë çelsat, tenton të vra’së rivalin shqiptar

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në burgun famëkeq të Korydallos në Greqi, ku një i burgosur shqiptar ka marrë peng dy roje dhe ka tentuar të kryejë një vrasje brenda ambienteve të sigurisë së lartë. Sipas raportimeve të televizionit grek ALPHA, i burgosuri arriti të neutralizonte rojet, duke u marrë atyre çelësat, radiot dhe telefonat, dhe më pas u nis drejt një reparti tjetër për të kërkuar një tjetër të burgosur shqiptar me qëllim eliminimin e tij.
Autori i incidentit është i njohur për autoritetet greke si pjesë e niveleve të larta të mafies shqiptare dhe aktualisht vuan dënimin për tentativë vrasje. Sipas burimeve, ai kishte një thikë me të cilën kërcënoi dhe mbylli rojet në një dhomë, duke ecur më pas për rreth 150 metra në brendësi të burgut, duke hapur portat njëra pas tjetrës.
Shënjestra e tij ishte një tjetër shqiptar i dënuar për trafik narkotikësh, por tentativa për vrasje dështoi pasi personi që kërkohej nuk ndodhej në vendin ku pritej të ishte. Autoritetet e burgut ndërhynë në kohë dhe arritën të ndalonin ngjarjen pa pasoja të mëtejshme.
Për arsye sigurie, emrat e personave të përfshirë nuk janë bërë publikë, por incidenti ka ngritur sërish alarmin për gjendjen e sigurisë në burgjet greke dhe për aktivitetin e grupeve kriminale brenda tyre. Autoritetet greke pritet të nisin hetime të detajuara për të zbuluar nëse kemi të bëjmë me një atentat të porositur nga jashtë.

