Connect with us

Kosova

Kaos prapa perdes/ Rusia po destabilizon Ballkanin, pa përdorur ushtarë e tanke

David Kanin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins, tha se Rusia, duke shfrytëzuar dobësitë e rajonit te Ballkanit Perendimore, dhe mungesën e angazhimit të Perëndimit, ndërhyn me strategji të sofistikuara politike dhe ekonomike për të zgjeruar ndikimin e saj. Nga mbështetja e udhëheqësve serbë e proserbë, deri te përdorimi i energjisë dhe investimeve strategjike si instrument presioni, Moskës i mjafton të krijojë destabilizim gradual pa përdorur ushtarë e tanke.

Kanin kujton se, vetëm këtë vit, Vuçiç ka takuar dy herë presidentin rus, Vladimir Putin, e ngjashëm edhe Milorad Dodik, i cili ka thënë se, gjatë tetorit, pritet ta takojë sërish atë.

“Putin po kërkon mundësi të reja për të sfiduar Perëndimin dhe për të krijuar kaos në atë pjesë të botës. Kështu, ai do të mund të paraqitej si një ndërmjetës, dhe pastaj ta shantazhonte Perëndimin duke i thënë: nëse nuk doni që situata të dalë jashtë kontrollit, do të duhet të negocioni me mua”, theksoi Kanin

Shtetet e Bashkuara, përmes ambasadorit në NATO, Matthew Whitaker, e kanë bërë të qartë se duan stabilitet në Ballkanin Perëndimor.

I pyetur nëse NATO-ja do të ndërhynte në rast të konfliktit të armatosur, sidomos në Bosnje e Hercegovinë apo Serbi, ai u përgjigj se aleanca vepron me unanimitet, duke shtuar se “jemi larg një skenari të tillë”.

E, për ta mbajtur larg këtë kërcënim, Kanin thotë se Perëndimi – sidomos Bashkimi Evropian – duhet ta mbajë rajonin në fokus dhe t’i zbatojë premtimet e dhëna.

Në Serbi, për shembull, Bashkimi Evropian ka leva të forta, pasi mbi 60% e investimeve të huaja vijnë prej tij. BE-ja ka bërë thirrje për përmbajtje nga të gjitha palët në këtë vend, por frika se Beogradi mund të afrohet më shumë me Rusinë, duket se e ka bërë që t’i zbusë kritikat ndaj Vuçiçit, i cili këtë javë ka paralajmëruar marrëveshje të reja gazi me Moskën.

Advertisement