Connect with us

Politike

Kaosi dhe djegia e karrigeve të Kuvendit, Luan Baçi: Do bëjmë edhe më keq

Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi ka komentuar skenarët e opozitës për bllokimin e seancës plenare, si edhe dënimin e ish-deputetit Ervin Salianji.

Në emisionin ‘Frontline’, Baçi thotë se secili prej deputetëve të PD ka djegur karrigen e vet dhe paralajmëron skenarë të tjerë dhune në Kuvend.

Sa i takon kallëzimit të opozitës ndaj 74 deputetëve të PS në SPAK për çështjen ‘Xhaçka’, Baçi thotë se nuk ishte hakmarrje. Sipas tij, deputetët e PS kanë kryer vepër penale pasi kanë kundërshtuar dy vendime të Gjykatës Kushtetuese duke mos dërguar për verifikim mandatin e deputetes socialiste Olta Xhaçka, të cilën opozita e akuzon për konflikt interesi.

“S’ka qenë hakmarrje, por e diskutuar javë më parë në PD. Nuk është bërë si kundërpërgjigje se na çuan ne në SPAK, çuarja jonë në SPAK se u vëmë zjarrin karrigeve tona, s’duhet të tërhiqemi.

Secili për ne merr përsipër që karrigen e vet e ka djegur vetë. Është një formë protestë që e bëjnë deputetët e opozitës, do ta bëjmë edhe më keq se kaq për gjendjen ku është katandis ai parlament.

Deputetët e mazhorancës kanë kryer vepër penale, kanë kundërshtuar dy vendime të Gjykatës Kushtetuese dhe kanë votuar kundër. SPAK këtu do tregojë profesionalizmin tyre që janë të frikësuar apo varur nga Rama.

Nëse do ketë drejtësi të pavarur dhe nëse SPAK do bëjë detyrën s’ka nevojë të merret me hetim të çështjes, se ka para nga Gjykata Kushtetuese që ka thënë shprehimisht kanë shkelur kushtetutën, nuk e kanë çuar mandatin në Kushtetuese”, tha Baçi.

Sa i takon dënimit të Salianjit, Baçi tha se është një vendim politik, ndërsa foli edhe për skenarin e protestës së 8 tetorit.

“Burgosja e Salianjit ishte një shkak që të reagonim ashpër, se është në vazhdën e goditjeve të opozitës. Janë në vazhdën e goditjeve që i bëhen PD, nuk është thjesht për Salianjin dhe Berishën.

PD kur vendos të bëjë protestë mbarëkombëtare, përveçse a një shkak, ka edhe metodat e marrjes së mendimit të qytetarëve dhe bazës. S’ka fjalime, s’ka podium, do mblidhen qytetarët të shprehin revoltën e tyre.

Kjo është një kërkesë e vetë popullit opozitar. Kjo është një risi në protestë, një protestë e fuqishme, paqësore, që të tregojë forcën e qytetarëve dhe opozitës”, tha Baçi.

Advertisement