Connect with us

Kronike

Katër-fishohen shqiptarët në Angli

Disa zona të Veriut të Shqipërisë po boshatisen më shpejtësi kryesisht qarku i Kukësit i cili ka lidhje të forta me emigracionin në Britani.

Numri i shqiptareve që aplikojnë si azilkërkues në Britaninë e Madhe po rritet me shpejtësi këtë vit.

Sipas të dhënave zyrtare mbi emigracionin nga Qeveria Britanike, në periudhën janar-shtator 2022 kanë kërkuar azil në Britani 13,272 shtetas shqiptarë.

Në tremujorin e tretë të këtij viti numri i azilkërkuesve nga Shqipëria pothuajse u dyfishua në raport me 6 mujorin e parë ku kishin kërkuar azil rreth 7 mijë shtetas shqiptarë.

Në të gjithë 9 mujorin e këtij viti Britania e Madhe ka regjistruar 52,525 azilkërkues nga e gjithë bota, 25% e të cilëve ishin nga Shqipëria.

Më shumë se gjysma e azilkërkuesve nga Shqipëria hynë në territorin britanik me gomone nga Franca në udhëtime mbi 8 ore shpesh duke rrezikuar jetën. Vala e emigrimit në këtë mënyrë u nxit nga çmimi më i lirë me gomone në raport me mbi 20,000 mijë paund që arriti vlera e transportit me kamion.

Autoritet britanike konsiderojnë se kalimet me varka të vogla janë të rrezikshme dhe të panevojshme për shqiptarët pasi shqipëria sipas tyre konsiderohet një vend i sigurt.

Të dhënat tregojnë se numri i azilkërkueseve nga Shqipëria është rritur më shumë se katër herë në raport me vitin 2021 ku kërkuan azil vetëm 3,578 shqiptare.

Çdo kërkesë për azil shqyrtohet në bazë të rrethanave individuale të personave dhe mundësia për t’iu dhënë mbrojtje do të ndryshojë sipas nivelit të rrezikut.

Të dhënat britanike tregojnë se, shqiptarët në përgjithësi kishin më pak gjasa për të përfituar azil sesa kombësitë e tjera. Shqiptarët përfitojnë 53% të normës së grantit, krahasuar me 76% të kombësive të tjera.

Advertisement