Politike
Kaziaj thirrje policisë: Persona me kapuç intimidojnë votuesit

Përfaqësuesi i koalicionit opozitar “Bashkë Fitojmë” Altin Kaziaj ka denoncuar publikisht presionin që sipas tij po u bëhet votuesve në qendrat e votimit nga persona të paidentifikuar, të cilët nuk janë të autorizuar të jenë aty.
Përmes një deklarate për mediat, Kaziaj duke i përshkruar këta persona, i bëri thirrje kreut të Policisë së Shtetit të shtojë efektivët në perimetrin e qendrave të votimit, për të mos lejuar persona të tillë të intimidojnë votuesit.
“Personat që kanë detyra zgjedhore duhet të rrinë në këto ambiente. Shumë media kanë transmetuar persona me xhupa e kapuçë që po ushtrojnë presion mbi të drejtën kushtetuese të qytetarëve. I bëj thirrje drejtorit të Policisë së Shtetit zoti Rrumbullaku që të marrë masa të menjëhershme duke siguruar prezencën në atë që ligji e lejon, të policisë duke nxjerrë jashtë qendrave të votimit këta persona që nuk kanë lidhje fare me komisionerët e qendrave të votimit, të jenë jashtë perimetrit 150 metërsh. Në Tiranë ka një prezencë të shtuar të këtyre personave, ky është një komunikim që po u bëhet qytetarëve, mos kini frikë nga intimidimi që po ju bëhet, merrni në telefon Policinë e Shtetit dhe nëse nuk ju përgjigjen, ne do marrim çdo aksion ligjor për përgjegjësit”,- tha Kaziu.

