Kosova
Kearns ‘përplaset’ me anëtaren e SNS-së: Duhen masa të forta ndaj Serbisë
Kryetarja e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, kërkoi sërish që të vendosen “masa negative” ndaj Serbisë, kryesisht për shkak të sulmit të paramilitarëve serbë në pjesën veriore të Kosovës dhe dyshimeve për vjedhjen masive të votave nga Partia Progresive Serbe (SNS) në zgjedhjet nacionale të Serbisë më 17 dhjetor.
Kearns, nëpërmjet një postimi në platformën “X”, replikoi ndaj një postimi të anëtares së kryesisë së SNS-së, Sandra Boziç, e cila pretendoi se deputetja britanike “lufton” për Kosovën më shumë sesa vetë kryeministri kosovar, Albin Kurti, duke i cilësuar “halucinacione” paralajmërimet se Serbia kontrabandoi armë në Kosovë para terrorizmit në Banjskë të Zveçanit.
“Duket se e keni harruar sulmin e Banjskës, gjë që vërtetoi saktësinë e plotë të shqetësimeve të mia. Kjo konfirmon edhe obsesionin tuaj me mua se autoritetet serbe po i tremben kuptimit perëndimor se rruga e Serbisë është gjithnjë e më autoritare dhe se nevojiten masa negative” – shkroi Kearns në replikën e saj ndaj akuzave të Boziç, se deputetja britanike paguhet nga Kosova.
Perspektiva e demokracisë në Serbi është ende e pasigurt. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse Serbia do të ndjekë politika të favorshme ndaj stabilitetit rajonal. Serbia, gjatë gjithë historisë, ka marshuar sipas një daulleje krejt të ndryshme nga perëndimi. Disa politikanë të lartë nga 17 shtete evropiane i kërkuan BE-së të hetojë zgjedhjet e manipuluara në Serbi.