Connect with us

Lifestyle

Kek pa Vezë dhe pa Gjalpë

Receta e kekut pa vezë dhe pa gjalpë është një recetë unike, e cila i shton edhe më shumë shije dhe lezet festimeve tuaja.

E butë dhe delikate, ky kek është i përkryer për mëngjes, por mund të konsumohet në çdo orë të ditës.

Kjo është një recetë shumë argëtuese dhe e përballueshme nga të gjithë.

Me një truk të thjeshtë dhe me pak shkathtësi do të merrni një rezultat vërtet befasues: një kek fantastik me vija dy ngjyrëshe dhe me shije vaniljeje dhe kakaoje.

Edhe pse në pamje keku ngjason me lëkurën e zebrës dhe mund të duket si një ëmbëlsirë e ndërlikuar, AgroWeb.org iu siguron të kundërtën. Ndaj mos hezitoni ta përgatisni duke ndjekur hapat si më poshtë.

Përbërësit

  • 250 g qumësht
  • 80 ml vaji i farave të susamit
  • 150 g sheqer
  • Vanilje sipas dëshirës
  • 250 g miell
  • 16 g pluhur pjekje
  • 2 lugë gjelle kakao e hidhur

Përgatitja

Fillojeni recetën duke bashkuar në një enë qumështin, vajin e farave të susamit dhe sheqerin.

Përziejini mirë përbërësit me një rrahëse dore ose nëse dëshironi me një elektrike.

Pas kësaj shtoni vaniljen dhe miellin, vazhdoni ta përzieni duke shtuar me ngadalë edhe pluhurin e pjekjes.

Përpunojeni derisa masa të bëhet homogjene.

Në këtë moment ndajeni brumin në dy pjesë dhe në njërën prej tyre shtoni kakaon e hidhur.

Merrni një tavë me diametër rreth 20 cm, shtroni në të një letër furre dhe lyejeni me vaj, ndërsa buzët me miell.

Tani vjen pjesa krijuese! Filloni të hidhni në tavë një lugë me brumë të bardhë dhe më pas një lugë nga brumi me kakao, për të formuar rrathë që do të përhapen brenda tepsisë.  Vazhdojmë kështu derisa brumi të mbarojë.

Piqeni tavën në furrë të parangrohur në 180°C për 30-35 minuta.

Lëreni kekun të ftohet mirë para se ta hiqni nga tava.

Këshilla

Në vend të vajit të farave të susamit mund të përdorni 10% më shumë gjalpë ose margarinë.

Si alternativë ndaj aromës së vaniljes mund të provoni të shtoni edhe aromën e limonit, portokallit ose rumit.

Advertisement