Politike
Revolucioni vazhdon, Këlliçi flet për 24 Janarin
Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi ka folur edhe për protestën e ardhshme të opozitës që do të mbahet në 24 janar.
Gjatë bisedës, Këlliçi është shprehur se, kjo protestë do të jetë shumë e ndryshme nga ajo e 22 dhjetorit dhe do ti përgjigjet temperaturës dhe revoltës së mbledhur nga qytetarët.
Ju patë një segment në vetëm pak ditë të dy protestave të organizuara krejt në mënyrë spontane, qoftë nga qytetarët në Vlorë, që njihet si një nga qytetet kryesore të mbështetjes që ka Partia Socialiste sot në Shqipëri, apo qoftë dhe në Durrës, ku Partia Socialiste prej më shumë se dy dekadash drejton drejtimin e qytetit dhe e ka drejtimin e bashkisë. Keni parë protesta masive të qytetarëve, të ngritur me të drejtë të Zotit në mënyrë të padiskutueshme, kundër politikave jo vetëm të bashkisë së këtyre dy qyteteve respektive, por të kryeministrit, me talljen që është bërë, me vjedhjen që i është bërë qytetarëve dhe me batërdi që i bëhet taksave të qytetarëve çdo ditë. Dhe kjo energji, ky reagim qytetar, ky nerv qytetar, unë ta garantoj sa vjen dhe shtohet dhe do të shtohet.
Bazuar edhe në ato që pritet të ndodhin dhe në shpalosjen e plotë qoftë të dosjes së AKSH-it, apo të skandaleve të tjera që janë lajmet e vërteta të SPAK-ut, që mendoj unë do të prodhohen në ditët apo në javët në vijim dhe ato do të jenë lajmet që kanë të bëjnë me qeverinë. Sigurisht, shoqëruar këtu me aksionin politik të Partisë Demokratike, të opozitës, ku pikë së pari ne kemi protestën në datë 24, që po jua jap lajm, nuk do të jetë si protesta e kaluar.
Nuk do të jetë një protestë e ngjashme me 22 dhjetorin. Do të jetë një protestë e një formati, mendoj unë krejt ndryshe dhe e një qëndrese ndryshe nga 22 dhjetori. Jam i bindur që me protestat e pandalshme të opozitës, Partisë Demokratike, do të ketë një reagim shumë të fortë.
Ne po përgatitemi për t’ju përgjigjur nxehtësisë dhe temperaturës së qytetarëve dhe reagimit të qytetarëve. Kaq e thjeshtë. Se si konsiderohet pastaj, është çështje krejt e parëndësishme në raport me qëllimin kryesor që është largimi i këtij kryeministri një orë e më parë, do të duhet të kishte ikur me kohë.
Domethënë, çfarë do duhet të ndodhi më shumë në këtë vend sesa të kuptohet, çdo qytetar shqiptar sot e di që ministrat, zyrtarët, shkojnë çdo ditë në zyrë për të vjedhur qytetarët. E ke tashmë me fakte, me video, me prova, me dokumenta, me skandale, me afera dhe ke një kryeministër që për çdo zyrtar, për çdo ministër, zëvendësen e tij, zv/kryeministren, bashkëpunëtorët e tij më të afërt thotë, unë nuk e di. Përgjegjësia është individuale.
Unë nuk e di, këta hanë fiq e kumbulla prapa kurrizit tim dhe është po ky kryeministër që i ka zgjedhur me dorën e tij të gjithë këta individë një e nga një dhe i ka vendosur në këto pozicione dhe nuk mban asnjë përgjegjësi.
Dhe jam i bindur që me rritjen e temperaturave në ditët në vijim, edhe temperaturave politike, por mbi të gjitha dhe reagimit të qytetarëve, do të kemi një revoltë shumë të fortë dhe do të kemi një reagim qytetar shumë të fortë. Për këtë e kam bindjen’, tha ndër të tjera, deputeti Belind Këlliçi