Kosova
Kenia njeh zyrtarisht shtetin e Kosovës, bëhet shteti i 118

Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë të mërkurën se Kenia e ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.
Pacolli, gjithashtu ish-zëvendëskryeministër i Kosovës, shkroi në Facebook se njohja u bë “në një ceremoni të jashtëzakonshme e të paharrueshme” më 26 mars.
“Republika e Kenias – një nga shtetet më të rëndësishme të Afrikës – e njohu zyrtarisht Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran”, shkroi Pacolli.
Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Ministrinë e Jashtme të Kosovës rreth njohjes së raportuar të Kosovës nga Kenia, shtet afrikan, por nuk ka marrë ende përgjigje.
Kosova – e cila e shpalli pavarësinë më 2008 – njihet nga 117 vende të botës, sipas ueb-faqes së Ministrisë së Jashtme të Kosovës.
Në vitet e fundit ka pasur një rënie të ritmit të njohjeve dhe shteti i fundit që e njohu ishte Izraeli në vitin 2021.
Pacolli mori meritat për njohjen e vendit nga Kenia, duke thënë se “që nga viti 2009, unë personalisht kam lobuar dhe kam biseduar me autoritetet keniane për ta bërë këtë ditë realitet”.
Kjo fitore nuk erdhi rastësisht. Ajo është fryt i një pune të gjatë, të palodhur, me përkushtim e sakrificë”, tha ai.
Ai theksoi se presidenti i Kenias, William Ruto, i kishte premtuar atij njohjen e Kosovës qysh në vitin 2016
“Ai e vizitoi Kosovën në vitin 2019 dhe e ndjeu fuqinë dhe vendosmërinë e popullit tonë. Në vitin 2023, gjatë vizitës time në Nairobi, ai e bëri hapin e parë duke njohur pasaportat tona. Sot, në një ceremoni madhështore, ai e tha me zë të lartë: Kosova është shtet i njohur nga Kenia”, shtoi ai.
Ruto u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, tri herë gjatë vitit 2024, sipas Presidencës së Kosovës.
Pacolli i bëri thirrje Qeverisë së Kosovës të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kenian dhe të hapë një Ambasadë të përbashkët me Republikën e Shqipërisë në Nairobi.

