Aeroporti Ndërkombëtar Basel-Mulhouse-Freiburg është urdhëruar të evakuohet për herë të tretë për shkak të një kërcënimi me bombë.
Siç njoftuan autoritetet franceze në Twitter, në orën 17:30 u dha urdhri për evakuim, me pasagjerë dhe personel që u dërguan në një vend të sigurt. Njëkohësisht është krijuar një perimetër sigurie nga policia.
Një ekip për zbulimin e eksplozivëve dhe qentë hetues ndodhen në vendngjarje për të kontrolluar zonën.
Janë regjistruar vonesa dhe anulime fluturimesh.
Dy urdhrat e mëparshëm të evakuimit, për shkak të një kërcënimi me bombë, u dhanë të enjten dhe të premten e kaluar, por pak më pas rezultuan të ishin alarme të rreme.
Kujtojmë se pak ditë më parë, pas një kërcënimi me bombë, u evakuua Pallati i Versajës në Francë, si dhe Muzeu i Luvrit.