Kosova
Kërcënohen me vdekje dy gazetarë në Kosovë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës përmes një reagimi për media ka bërë të ditur se gazetarët e Plus Tv nga Vitia, Fatos Hetemi dhe Irfan Maliqi, janë kërcënuar me vrasje.
Hetemi e Maliqi kanë njoftuar AGK-në për mesazhet kërcënuese që i kanë pranuar pas shkrimeve të këtij mediumi për dy xhamitë ne Komunën e Vitisë.
AGK i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që të kujdeset për sigurinë e gazetaëreve dhe stafit të Plus Tv.
“AGK-ja, e fton Policinë e Kosovës të kujdeset për sigurinë e gazetarëve dhe stafit tjetër të televizionit dhe të punojë intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e personit përgjegjës për kërcënimin”, thuhet në reagim.
Reagimi i plotë:
Kërcënohen me vrasje Fatos Hetemi dhe Irfan Maliqi nga Plus TV në Viti
Janë kërcënuar me vrasje gazetarët e medias lokale nga Vitia, Plus TV, Fatos Hetemi dhe Irfan Maliqi.
Redaksia e Plus TV, e ka njoftuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës se mesazhet kërcënuese me vrasje i kanë pranuar nga një llogari në rrjetin social Facebook, pas shkrimeve të fundit të kësaj medie lidhur me dy xhamitë në Komunën e Vitisë.
“Mesazhet kërcënuese me vrasje janë në drejtim drejtorit Fatos Hetemi dhe gazetarit Irfan Maliqi nga PlusTV…Këto kërcënime ndërlidhen me serinë e raportimeve të televizionit Plus lidhur me problemet e shqetësimet që kanë të bëjnë me xhamitë në Skifteraj dhe Ramnishtë, në këtë komunë, pasi Bashkësia Islame e Vitisë, në kuadër të BIK-ut, thotë se dy xhamitë, njëra në fshatin Skifteraj dhe tjetra në Ramnishtë, janë jashtë kontrollit dhe menaxhimit të BIK-ut dhe se frekuentohen nga njerëz të dyshimtë.”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e redaksisë.
Plus TV ka njoftuar se për kërcënimet i kanë njoftuar Policinë e Kosovës në Rajonin e Gjilanit.
AGK-ja, e vlerëson shumë serioz dhe të rrezikshëm kërcënimin dhe e dënon në termat më të fortë.
AGK-ja, e fton Policinë e Kosovës të kujdeset për sigurinë e gazetarëve dhe stafit tjetër të televizionit dhe të punojë intensivisht për identifikimin dhe arrestimin e personit përgjegjës për kërcënimin.