Connect with us

Politike

Kërcënuan mbështetësit e Igli Carës, policia arreston agresorët

Policia ka dhënë reagimin e saj lidhur me deklaratën e opozitës, për kërcënimin e anëtarëve të FRPD-së që ishin duke shpërndarë fletëpalosje në mbështetje të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Durrësit, Igli Carës.

Sipas përfaqësuesve të opozitës pretendohet se ishin kërcënuar me jetë nga një grup personash të cilët lëviznin me një automjet me logo të koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës thotë se deklarata e bërë nga kryetari i FRPD dega Durrës, i cili foli për banda kriminale që iu bëjnë presion qytetarëve të Durrësit, për të tjetërsuar vullentin e tyre politik, është tërësisht e pavërtetë.

Në lidhje me deklaratën e bërë në media, nga kryetari i degës së FRPD në Durrës, sqarojmë opinonin publik se:

Më datë 06.05.2023, rreth orës 14:00, kandidati për kryetar bashkie i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ka njoftuar me telefon se rreth orës 13:00, në një lagje në Sukth, Durrës, një grup prej 6-7 personash kishin qenë në këtë lagje, me një automjet me logo të koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe sipas tyre, dy shtetas që drejtonin dy automjete, i kishin kërcënuar me fjalë që të largoheshin nga lagjja.

Në këto kushte është ftuar për të bërë kallëzim, kandidati për kryetar bashkie i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, por deri në këto momente nuk është paraqitur as ai dhe asnjë shtetas tjetër, për të bërë kallëzim në lidhje me pretendimin e ngritur gjatë telefonatës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, menjëherë pas marrjes së telefonatës, kanë vënë në dijeni prokurorin e gatshëm në Prokurorinë e Durrësit dhe më pas shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës kanë shkuar në adresën e dhënë.

Pas informacioneve të marra, është bërë identifikimi dhe shoqërimi në Komisariatin e Policisë Durrës, i dy personave, konkretisht shtetasve F. T., 25 vjeç dhe A. M., 31 vjeç, banues në Sukth, të cilët kanë deklaruar se nuk kanë kërcënuar njeri, por kanë debatuar me personat që të mos futnin postera dhe fletushka poshtë banesave të tyre apo t’i hidhnin ato në rrugë.

Në përfundim të veprimeve, materialet procedurale në ngarkim të dy shtetasve të mësipërm, do t’i dërgohen Prokurorisë, për vlerësim.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës sqaron opinonin publik se deklarata e bërë sot nga kryetari i FRPD dega Durrës, i cili foli për banda kriminale që iu bëjnë presion qytetarëve të Durrësit, për të tjetërsuar vullentin e tyre politik, është tërësisht e pavërtetë.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës siguron qytetarët dhe të gjitha subjektet politike, se ka marrë të gjitha masat për garantimin e rendit e të sigurisë, me qëllim mbarëvajtjen sa më të sigurtë të fushatës zgjedhore dhe se deri tani, në qarkun e Durrësit, nuk ka asnjë rast të cenimit të këtij procesi”, tha policia.

Advertisement