Politike
Kërkesa e SPAK për Sali Berishën/ Zbardhen diskutimet në mbledhjen e grupit
Ish-kryeministri Sali Berisha ka kërkuar në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar, që dita e seancës plenare, e kësaj te enjteje, të jetë ditë proteste. Sipas tij, duhet arritur një pikë kulmore e aksionit opozitar, duke thirrur mbështetësit e opozitës përpara parlamentit.
Sakaq, për ish-kryeministrin kjo do të duhet të bëhet për shkak se Partia Socialiste ka lajmëruar votimin e ndryshimeve pa konsensusin e opozitës të rregullores së Parlamentit, ku tashmë deputetët e opozitës, mund të përjashtohen deri në 2 muaj.
Por kjo ide e Berishës, është kundërshtuar nga Gazment Bardhi, i cili sipas burimeve të News24, ka deklamuar se nuk ka arritur ende koha për të thirrur qytetarët në protestë, pasi do të duhet ende që këtë betejë ta përballojnë deputetët, dhe se është thënë publikisht se deputetet duhet të sakrifikojnë për të drejtat e tyre të shkelura kushtetuese.
“Çdo protestë qytetare në këtë moment do të keqinterpretohet nga opinioni publik dhe se nuk mund të konfondohen betejat e opozitës me akte momentale. Strategjia e opozitës nuk duhet të ndikohet nga ngjarje rastësore”, mësohet të jetë shprehur Bardhi.
“Kemi deklaruar që betejën do ta përballojnë fillimisht deputetët, përpara se t’i kërkojmë sakrificë mbështetësve”, mësohet të jetë shprehur ai.
Në fund të mbledhjes Berisha iu bind argumenteve të Bardhit dhe Nokës për të mos zhvilluar një protestë të enjten e seancës plenare.