Connect with us

Aktualitet

Kërkoi shpalljen e pavlefshme të përgjimeve të “SKY ECC”, GJK ‘rrëzon’ Pëllumb Gjokën

Gjykata Kushtetuese ka shqyrtuar sot nëse komunikimet e përftuara nga aplikacioni “SKY ECC” për llogari të hetimeve nga SPAK, duhen konsideruar të ligjshme ose jo. Gjoka në padinë e ngritur kërkonte shpalljen e pavlefshme të përgjimeve të platformës SKY ECC, mbi të cilat është bazuar hetimi dhe operacioni për dosjen “Metamorfoza”. Por Gjykata Kushtetuese nuk e ka konsideruar të bazuar kërkesën për shfuqizimin e masës së sigurisë “arrest në burg” dhe pavlefshmërinë e provave të mbledhura përmes SKY ECC.

Gjykata argumenton se vendimet e mëparshme të GJKKO-së dhe Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë janë në përputhje me Kushtetutën dhe parimet e proporcionalitetit. Gjoka do të mbetet nën masën e sigurisë “arrest në burg”, ndërsa hetimet mbi grupin e strukturuar kriminal vijojnë bazuar në provat e siguruara nga komunikimet e SKY ECC.

Materialet e ardhura nga Franca e Belgjika me qindra fashikuj në përmbajtje të të cilave ka komunikime të grupeve kriminale, janë përdorur nga SPAK për të kryer një sërë arrestimesh, duke pretenduar zbardhjen e dhjetëra ngjarjeve kriminale. Para disa javësh, Gjykata e Strasburgut e cilësoi të ligjshëm përgjimin nga aplikacioni “EncroChat”, të cilin e kanë përdorur kryesisht persona të përfshirë në botën e krimit. Kjo gjykatë vendosi që komunikimet në Sky ECC të përdoren si prova në gjykata dhe prokurori.

Nga korriku i vitit 2023, Pëllumb Gjoka ndodhet në paraburgim, i akuzuar për disa vepra të rënda penale. Ai u arrestua në kuadër të operacionit “Metamorfoza”. Ky i fundit u arrestua pas zbardhjes së komunikimeve në aplikacionin “Sky ECC”, ndërsa bashkë me të në pranga përfnduan policë, prorkurorë dhe ish-prokurorë. Deri në marrjen e një vendimi nga GJKKO për dosjen, biznesmeni Pëllumb Gjoka, prokurori Xhevahir Lita, ish-shefi i Operacionales Oltion Bistri, ish-efektivi Adrit Hasanbegaj, Edmond Preka (shofer i biznesmenit Gjoka) do të qëndrojnë në qeli, derisa të përfundojnë hetimet.

Advertisement