Connect with us

Aktualitet

Kërkoi të dilte nga burgu, Apeli rrëzon kërkesën e Plarent Dervishajt

Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e Plarent Dervishajt, i cili kishte kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë “Arrest me burg” të vendosur nga GJKKO.

Dervishaj pretendon se ka ardhur vetë nga Dubai për t’u përballur me drejtësinë dhe ka kërkuar masë më të butë sigurie, me pretendimin se nuk paraqet rrezik për të ikur, por kërkesa e tij nuk është marrë parasysh nga gjyqtarët Florjan Kalaja, Iliriana Olldashi dhe Miliana Muça.

Plarent Dervishaj u deportua nga Dubai më 15 Korrik bashkë me Julian Meçen, teksa të dy strehoeshin prerj vitesh në Emiratet e Bashkuara Arabe për t’i shpëtuar drejtësisë.

Ndaj Dervishaj rëndojnë akuzat për “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal” dhe “kryerjen e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Më konkretisht, Plarent Dervishaj akuzohet për ngjarjen e ndodhur më 26 shkurt të vitit 2005 në Durrës, ku në bashkëpunim me Indrit Taullaun, Lulzim Berishën  dhe Luftar Reçin dyshohet se kanë vrarë me armë zjarri Klodian Saliun.

Po ashtu, edhe për ngjarjen e e regjistruar më 27 shkurt të vitit 2005 në Durrës në kuadër të grupit të organizuar kriminal, në bashkëpunim me subjekte të tjerë të hetuar, përkatësisht Emiliano Shullazin, Indrit Taullaun, Lulzim Berishën, etj., dyshohet se kanë vrarë me eksploziv Vajdin Lamaj dhe Artan Arsi.

Gjithashtu, Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj ishin shpallur në kërkim nga SPAK edhe si organizatorët e atentatit ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj më 1 nëntor të vitit 2019 tek mbikalimi i Shkozetit, i cili ndodhej në makinë bashkë me Aleksandër Lahon alias Pëllumb Muharremi, i njohur si “Rrumi i Shijakut”, ku në atë ngjarje humbi jetën shoferi i ish-prokurorit, Andi Maloku.

Sipas autoriteteve, Julian Meçaj, nga hetimet është identifikuar si një nga autorët, duke e kryer këtë krim në bashkëpunim me shtetas të tjerë, duke përfshirë dhe Ramazan Rrajën.

Plaurent Dervishaj është kunati i Lulzim Berishës, ndërsa Julian Meçaj konsiderohej si numri 2 i bandës së Durrësit pas Lulzim Berishës. Të dy ata i shpëtuan një tentati me armë zjarri në Durrës më 20 qershor të vitit 2019 dhe dyshohet se më pas u hakmorën ndaj “Rrumit të Shijakut”.

Njoftimi:

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Iliriana Olldashi (anëtare) dhe Miliana Muça (anëtare), sot më 17.09.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 188 akti, datë 11.09.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e të pandehurit/ankues P.D., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 103, datë 16.08.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (disponuar mbi kërkesën për ndryshim mase sigurimi)”, dhe vendosi:

Miratimin e vendimit nr. 103, datë 16.08.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Advertisement