Connect with us

Shkrime

Kim Mehmeti: Si bajgë e tharë që e ka marrë lumi i krimit dhe i marrëzisë politike

Nëpër vendbanimet e ‘Shqipërive’ tona shumëçka mungon, dhe nga dita në ditë rritet varfëria dhe pashpresa. Teksa zvogëlohet numri i të rinjve, shtohet edhe numri i shtëpive të mbetura shkretë. Siç rritet edhe hapësira për qentë endacakë, të cilët aq shumë janë shumuar dhe egërsuar, sa të duket se edhe ato i ka përfshirë epidemia e grindjeve ndërpartiake.

Dhe kështu, për shembull, në Shqipëri, nuk ka gjykata për ta ndaluar rrënimin e Teatrit Kombëtarë, apo për të dënuar hajdutë e kriminelë me kollare politikani, por ka gjykatës që e dinë se kujt i takon partia dhe, që vulat e emblemën partiake, ua japin budallenjve që besojnë se ata janë si hekur i nxehtë, me të cilin mund t’i shënosh votuesit e tu si bariu delet e veta.

Edhe Kosovën vazhdojnë ta braktisin të rinjtë, por asaj i mbeten besnik pushtetarët dhe opozitarët. Opozitarët që sillen thuajse bisedimet me Beogradin kanë filluar me ardhjen e Levizjes Vetevendosja në pushtet dhe se, marrëveshjen për ‘Asociacionin e Komunave Serbe’ e ka nënshkruar Kryeministri i sotëm i vendit e jo ata të deridjeshmit që nuk ndërtonin Kosovë për banorët e saj, por vila e shtëpi luksoze për vetveten, ata që gjetën se cili është emri i lirisë, por duke harruar mbiemrin e saj – popullin!

Pra, Kosovës i pakësohet rinia, por i shtohen opozitarët që të lënë përshtypjen se më shumë duan dështimin e Kryeministrit të vendit të tyre se sa atë të Vuçiçit, që ndjellin dështimin e liderit të LVV-së, që jo se nuk bënë gabime, por të cilit i ka rënë në hise të pastrojë plehun politik që kanë lënë pas vetes drejtuesit e mëparshëm të shtetit, të cilët sot shtiren se nuk e dinë as çka ka ndodhur dhe as çfarë do të ndodhë.

Përsa u përket shqiptarëve të Maqedonisë, për ata nuk ka çfare të thuhet dhe është mëkat për çfare do qoftë t’i akuzosh dhe fajësosh. Sepse, duke e pasur mëmëdhe Shqipërinë e atdhe Kosovën, ata thuajse nuk kanë si ta shmangin as rrugaçërinë politike, e as vasalitetit politik ndaj partive maqedonase.Dhe ata mund të veprojnë politikisht si të duan, e të mos e turpërojnë shqiptarinë aq sa deputet e Kuvendit të Shqipërisë.

Po pra, nga vendbanimet tona për çdo ditë nisen autobusët që e shpërndajnë rininë shqiptare nëpër metropolet e Perëndimit. Me çka ua rrisin numrin vendeve të Evropës dhe pakësojnë numrin e shqiptarëve nëpër ‘Shqipëritë’ tona. Dhe ata nuk e braktisin vendlindjen pse i frikësohen skamjes, por pse nuk duan të ndjehen si bajgë e tharë të cilën e ka marrë me vete lumi i krimit dhe i marrëzisë së këtushme politike.

 

Advertisement