Bota
Kina dëbon dhe shpall ‘Non Grata’ kryediplomaten kanadeze
Kina dëboi konsullen e Kanadasë në Shangai, pasi Otava dërgoi në shtëpi një diplomate kineze, të akuzuar për përpjekje për të frikësuar një deputet kanadez. Të hënën, Kanadaja e shpalli diplomaten kineze, Zhao Wei, “person të padëshirueshëm” dhe e urdhëroi të largohej nga vendi. Në përgjigje, Kina urdhëroi të martën largimin e Jennifer Lynn Lalondes, diplomate kanadeze në Konsullatën e saj në Shangai.
“Kina rezervon të drejtën edhe për reagime të tjera”, tha përmes një deklarate Pekini zyrtar. Të dyja diplomatet kanë pesë ditë kohë për t’u larguar nga vendet përkatëse. Dëbimet paraqesin një përkeqësim të konsiderueshëm në marrëdhëniet midis Otavës dhe Pekinit, pas raporteve për ndërhyrjen e dyshuar politike të Kinës në Kanada. Kanadaja ka thënë se Kina ka vënë në shënjestër ligjvënësin e saj opozitar, Michael Chong, dhe të afërmit e tij në Hong Kong, pasi Chong ka akuzuar Pekinin për shkelje të të drejtave të njeriut.
Sipas një raporti të inteligjencës kanadeze, i cili ka dalë në gazetën “Globe and Mail”, Zhao është përfshirë në mbledhjen e informacioneve për Chongun, pas kritikave të tij të zëshme ndaj trajtimit që i bën Pekini pakicës së tij ujgure. Sipas raportit, agjencia e spiunazhit e Kanadasë beson se Kina ka kërkuar detaje për të afërmit e Chongut në Hong Kong, në përpjekje për t’i penguar “pozicionet anti-kineze”. Të enjten e kaluar, Kanadaja ka thirrur në bisedë ambasadorin e Kinës, për ta informuar se nuk do të tolerojë ndërhyrje në punët e saj.