Bota
Kina dërgon 5 anije ushtarake drejt Tajvanit
Kina dërgoi sot 30 avionë luftarakë dhe 5 anije ushtarake drejt Tajvanit, ndërsa Pekini kritikoi vizitën e një delegacioni të ri amerikan në ishullin e vetëqeverisur.
Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit shkroi në Twitter pak para mesditës (19:00 të dielën me orën lokale): “Ne dënojmë PLA për rrezikimin e paqes dhe sigurisë së rajonit tonë përmes njoftimeve për stërvitje ushtarake.
“Forcat e armatosura tajvaneze monitorojnë aktivitetet rreth rajonit tonë dhe i përgjigjen çdo situate me profesionalizëm për të mbrojtur vendin tonë.”
Rritja e fundit e tensioneve vjen disa ditë pasi një udhëtim i ngjashëm i kryetares së Dhomës, Nancy Pelosi shkaktoi një përgjigje të zemëruar nga Kina.
Udhëtimi 2 ditor i paralajmëruar i kësaj jave nga anëtarë të lartë të Kongresit, e shtynë Kinën të përsërisë zotimin e saj se do të “përgatitej për luftë” mbi Tajvanin.
“Ushtria Çlirimtare Popullore Kineze vazhdon të stërvitet dhe përgatitet për luftë, të mbrojë me vendosmëri sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial dhe të shtypë me vendosmëri çdo formë të separatizmit të “pavarësisë së Tajvanit” dhe përpjekjet për ndërhyrje të huaja”, tha Wu Qian, një zëdhënës i ministrisë së Mbrojtjes të Kinës, raporton abcnews.al.
“Ne paralajmërojmë SHBA-në dhe DPP-në në pushtet të Tajvanit: Përdorimi i Tajvanit për të frenuar Kinën “është i dënuar me dështim.”
Udhëheqësit e Pekinit pretendojnë se territori i ishullit është i tyre dhe kanë premtuar se një ditë do ta rimarrin atë.
Delegacioni amerikan prej pesë anëtarësh, i kryesuar nga senatori Ed Markey nga Massachusetts, u takua sot me Presidenten Tsai Ing-wen, sipas ambasadës de fakto të Uashingtonit në Taipei.
“Delegacioni pati mundësi për të shkëmbyer pikëpamjet me homologët e Tajvanit për një gamë të gjerë çështjesh me rëndësi si për Shtetet e Bashkuara ashtu edhe për Tajvanin”, thuhet në deklaratë.
Udhëtimi dypartiak shkaktoi një përgjigje tjetër luftarake nga Pekini, i cili tha se kishte kryer një raund të ri të “patrullës së gatishmërisë luftarake dhe stërvitjeve luftarake në det si dhe hapësirën ajrore rreth ishullit Tajvan” të hënën.
Stërvitjet e së hënës pasuan disa ditë ushtrimesh të mëdha rreth Tajvanit në vazhdën e vizitës së Pelosit, ku Pekini dërgoi anije luftarake, raketa dhe avionë në ujërat dhe qiellin pranë ishullit.
Taipei i dënoi ato stërvitje dhe teste raketash si përgatitje për një pushtim.