Aktualitet
“Kisha para, mora 2 mln € tendera”, përplasje në gjyq mes Nuredin Dumanit e Gentjan Sharrës
I penduari dhe bashkëpunëtori i drejtësisë, Nuredin Dumani ka dalë sërish në gjyq. Në seancën me dyer të mbyllura që po mbahet sot në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dosjen “Plumbi i Artë”, ka pasur sërish tensione. Teksa Dumani po jepte dëshminë e tij, është përballur me tone të ashpra nga të arrestuarit, teksa ka pretenduar se ka kryer krime në bashkëpunim me ta.
Në seancë, Gentian Sharra ka pretenduar se në kohën kur e implikon Dumani, ai kishte bizneset e tij, kishte fituar tenderë me shuma prej 2 milionë eurosh dhe posedonte një automjet 50 mijë euro. Pra sipas tij, nuk ka pasur nevojë që të marrë pjesë në grabitjen e Rinasit për të fituar para, pasi kishte gjendje të mirë ekonomike.
Po ashtu, Petrit Qoli, një tjetër i arrestuar, ka thënë se është mbajtur në arrest për 3 vjet për shkak të deklaratave të Dumanit duke lënë jashtë të vetme bashkëshorten e tij, të cilën theksoi se e “dashuronte”. Ndërkohë, Enver Diva i ka kërkuar Gjykatës që, pas përfundimit të dëshmisë së Dumanit, e cila po kontestohet nga të arrestuarit dhe avokatët e tyre, gazetarët të lejohen në sallë për të raportuar edhe versionin e tyre në lidhje me ngjarjet që akuzohen.