Connect with us

Kronike

Kishte hyrë ilegalisht në Itali për të vjedhur banesa, kapet pas ndjekjes si në filma 41-vjeçari shqiptar! Arratisen 2 shokët me kapuçë

Një 41-vjeçar shqiptar që kishte hyrë ilegalisht në Itali, u arrestua dje (13 tetor) nga policia e Benevento, pasi akuzohet jo vetëm për kundërshtim të oficerëve në aksion, por edhe si i dyshuar për vjedhje banesash, teksa iu gjetën pajisje dhe çelësa për hapjen e bravave.

Rreth orës 20:00, patrullat lokalizuan 2 persona të dyshimtë, që mbanin në kokë nga një kapuç, të cilët po endeshin fshehurazi mes shtëpive të një kompleksi banimi, që ndodhej në pjesën e poshtme të qytetit, jo shumë larg stadiumit “Vigorito”.

Teksa po shkonin drejt një makine, ku i priste personi i tretë, të rinjtë pikasën afrimin e policëve dhe ikën me vrap nëpër rrugica, kurse shoferi morri arratinë me një shpejtësi skëterrë, duke rrezikuar edhe forcat në aksion.

Pas ndjekjes me patrulla të tjera, mjeti u bllokua drejt “Telese Terme”, në komunën e Pontes.

Shoferi i makinës ishte pikërisht 41-vjeçari i arrestuar, teksa brenda në bord u gjetën edhe pajisjet, mes tyre edhe mallra që dyshohen si të vjedhura nëpër banesa, së bashku me disa bizhuteri floriri, thuhet në njoftimin e Kuesturës.

I dyshuari u mbyll në paraburgim, teksa po kërkohen edhe dy bashkëpunëtorët e tij me kapuç.

Advertisement