Kosova
Klemen Groshelj shpartallon Vuçiçin: Parregullsi brutale
Eurodeputeti i Parlamentit Evropian, Klemen Groshelj, i cili ishte edhe shef i misionit të PE-së që vëzhgoi procesin zgjedhor në Serbi, ka vlerësuar se këto zgjedhje nuk ishin në përputhje me standardet dhe kriteret e Kopenhagës për anëtarësimin e një vendi në Bashkimin Evropian.
“Çështja e zgjedhjeve është një nga çështjet më themelore në procesin e negociatave për anëtarësim në BE. Pra, kjo është mjaft e qartë. Nuk do të ketë mbyllje të negociatave derisa të arrihen standardet”, ka thënë eurodeputeti slloven.
Parregullsitë zgjedhore në Serbi në të kaluar, sipas Groshelj, ishin më të sofistikuara, ndërsa tani janë të hapura dhe brutale.
Serbia përfundoi edhe një cikël zgjedhor të dielën e kaluar. Rezultatet preliminare të zgjedhjeve tregojnë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, do të vazhdojë dominimin mbi skenën politike serbe dhe do të forcojë kontrollin në Serbi, megjithëse janë raportuar një numër parregullësh gjatë votimit.
Lista e partisë në pushtet “Aleksandër Vuçiç – Serbia nuk guxon të ndalet”, fitoi 47 për qind të votave apo 129 mandate në Parlamentin e Serbisë, kurse koalicioni opozitar liberal “Serbia kundër dhunës”, fitoi 23 për qind të votave apo 63 ulëse në legjislativin e ri të Serbisë.