Aktualitet
KLGJ nuk pranon dosjen e Irena Gjokës: Nuk na takon ne…
Shqyrtimi i çështjes së gjyqtares së GJKKO Irena Gjoka, pas ardhjes së dokumentacionit nga Greqia për akuzat se ajo ka fshehur në dënim në vendin fqinj, mbetet në udhëkryq. Me 6 vota kundër dhe 4 pro, Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk pranoi ta merrte në shqyrtim çështjen me argumentin se dosja duhet t’i kalojë Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë.
“Kundër me argumentin se siç kemi deklaruar se kjo çështje që kur ka nisur mbi ankesën e subjekteve të ndryshme është lënë në dispozicion të komisionit të zhvillimit të karrierës. Pas materialit të dërguar nga prokuroria e përgjithshme, jemi mbledhur dhe kemi rënë dakord që procedura do jetë e njëjtë diskutimi do ishte nëse do e dërgojmë tek ILD apo do e mbajnë ne vetë si këshill, në këndvështrimin tim këshilli ka rol aktiv vetëm në rastin kur shkaku i pazgjidhshmërisë, i papajtueshmërisë, ka lindur para fitimit të statutit. Në raste e tjera kur pazgjidhshmëria ka lindur pas fitimit të statusit, duhet ti dërgohet ILD. Kështu kemi vepruar edhe në raste të tjera. Nuk kemi kushtet që ta marrim ne direkt, duhet t’ia dërgojmë ILD-së. Prandaj jam kundër relacionit”, deklaroi Ridvan Hado ndërsa po shpjegonte votën kundër.
Argumentit të anëtarët Ridvan Hado iu bashkuan edhe kolegët e tij dhe si rezultat KLGJ nuk miratoi një relacion të përgatitur nga 4 anëtarë që kërkonte nisjen e procedurave dhe kalimin e çështjes në Komisionin e Karrierës.