Aktualitet
Kodi i Ri Penal/ Tre vite burg nëse tallesh dhe përbuz “udhëheqësit”

Nëse tallesh me udhëheqësit politikë të vendit, apo nëse guxon t’i përçmosh apo t’i përbuzësh ata apo simbolet jofrymore të shtetit, nëse guxon të thuash një fjalë të keqe kundër personave që kanë statusin ligjor “Dëshmor i atdheut”, rrezikon të dënohesh deri ne katër vjet burg.
Nëse këto shkelje behen nga nje “subjekt juridik”, mund të jepet në masë plotësuese, përveç gjobës, edhe “ndalimi për të kryer veprimtarinë” deri në pesë vjet, një nen ky që, me gjasa, mundet të përdoret për të goditur mediat dhe gazetarët për çdo gjë kritike që ato mund të thonë.
Neni 236 i draftit të prezantuar nga qeveria shqiptare për ndryshimin tërësor të Kodit Penal të vendit, parashikon masat e dënimit për një vepër penale të titulluar “Përdhosja e Republikës dhe e simboleve të saj”.
Por ndërsa neni përkatës në kodin aktual i referohet vetëm flamurit apo simboleve të vendosura në institucionet shtetërore, kodi i ri penal konsideron në të njëjtin status me flamurin presidentin, kuvendin, këshillin e ministrave, gjykatën kushtetuese ose sistemin gjyqësor, forcat e armatosura apo dëshmorët e atdheut. Dhe për më tepër, projekti i ri duket se jep masë ndëshkimi më të lartë për institucione të tilla se sa për “përdhosjen” e vetë flamurit.
“Përdhosja e Republikës, Presidentit, Kuvendit, Këshillit të Ministrave, Gjykatës Kushtetuese ose sistemit gjyqësor, forcave të armatosura apo dëshmorëve të Atdheut, dënohet me burgim deri në tre vjet”, shkruhet në projektin e publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Drejtësisë.
“Për qëllim të këtij ligji me përdhosje do të kuptohet dhunimi i diçkaje të shenjtë, vetive të larta morale apo vlerave të nderuara botërisht, poshtërimi, bërja e padobishme, përçmimi, tallja, përlyerja, apo përbuzja e institucioneve të përmendura në këtë dispozitë,” shkruhet më tej në këtë nen.
Ndryshe nga propozimi i ri, kodi aktual penal në nenin 268 parashikon si “poshtërim” të republikës vetëm rastet e dëmtimit të flamurit ose të stemës kur këto janë të vendosura në institucionet shtetërore. Edhe në këtë rast, kodi aktual penal parashikon gjobë ose burgim deri në tre muaj, masa dënimi këto shumë më të ulëta se sa burgimi deri në tre vjet i parashikuar nga kodi i ri.

