Kosova
Koha e lojrave të Serbisë ka mbaruar/ Nova: Njohja e Kosovës në tavolinë
Kryeredaktori i gazetës “Nova” ka treguar se çfarë qëndron pas sanksioneve amerikane ndaj Aleksandër Vulin. Sipas Ranko Pivljanin ky është një lloj presioni që po i bëhet Beogradit, jo për integrimin europian, por për njohjen e Kosovës.
“Sanksionet ndaj Vulin janë një lloj presioni, një lloj mesazhi se Serbia nuk duhet të luaj më dhe se koha që i mbetet për të përfunduar disa gjëra po mbaron” – tha Pivljanin.
Moska nga ana tjetër, beson se është “një presion tjetër ndaj Serbisë” për t’u larguar nga Rusia dhe, siç thonë ata, për të hequr dorë nga “politika e saj parimore që ajo ka adoptuar që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë” dhe të detyrohet të vendosë sanksione ndaj Rusisë, të cilat Serbia ka arritur t’i shmangë për gati një vit e gjysmë.
Gazeta e qeverisë ruse “Rossiyskaya” megjithatë, shkruan e bindur se “as kjo nuk do ta detyrojë Vuçiçin të vendosë sanksione ndaj Rusisë”. Agjencia pro regjimit TASS thekson se sanksionet ndaj Vulin u vendosën për shkak se ai është i lidhur me Rusinë, e cila akuzohet se drejton një politikë destabilizuese në Ballkan.