Connect with us

Kosova

KOHA MBAROI/ Guri dhe arra janë në duart e Donald Trump

Analisti politik Baton Haxhiu thote se me një president të paparashikueshëm në Uashington, Kosova nuk ka luksin të sillet sikur nuk ka krizë. Sipas tij, Partitë nuk duhet të luajnë lojën ideologjike të Kurtit.

“Donald Trump nuk është si Joe Biden, ai nuk është as si Bashkimi Evropian dhe as nuk është i interesuar për proceset e gjata të negociatave. Ai do të ofrojë një marrëveshje dhe do të thotë: “Merre ose lëre. Ndërkohë që ne zgjasim procesin post-zgjedhor, Serbia po përfiton maksimalisht nga ky ngërç politik në Kosovë. Duke pasur raporte të forta me administratën Trump, ajo mund të përdorë situatën për të rritur presionin mbi Kosovën dhe për të negociuar nga një pozitë më e fortë”- thuhet ne shkrimin editorial te analistit te njohur.

Sipas Haxhiut, Trump, me logjikën e tij politike që shkon përtej forcës dhe gjuhës tradicionale të republikanëve, mund të zgjedhë të mos humbasë kohë me Kosovën dhe ta mbyllë këtë çështje në mënyrë të thjeshtë duke imponuar një marrëveshje të njëanshme pasi ai i ka të thjeshta gjërat dhe ka në duar të gjitha levat politike dhe diplomatike.

“Forcat e NATO-s në Kosovë mund të përdoren si kartë presioni nga SHBA-ja, dhe Kosova mund të mbetet pa asnjë lloj ndikimi në proces. Duke e ditur këtë, në vend që të krijojnë një strategji të përbashkët, partitë kosovare po e lejojnë Serbinë të dalë si aktor kryesor. Nëse Kosova nuk e menaxhon këtë krizë me maturi, atëherë Donald Trump dhe Aleksandër Vuçiq do ta zgjidhin problemin pa Kosovën. Dhe ajo zgjidhje nuk do të jetë e mirë për ne”- ka theksuar analisti i cili shtron dhe pyetjen se si duhet të sillet Kosova ne kete situate.

“Të ruajë linjën me SHBA-në pa krijuar përplasje të hapura. Të lobojë fuqishëm për mbështetje brenda administratës Trump. Të sigurohet që nuk hyn në një situatë ku është thjesht spektatore e një marrëveshjeje të gatshme.

Nëse Kosova nuk ikën nga frika për të marrë pushtetin dhe nuk e luan lojën e saj me zgjuarsi, Trump do ta trajtojë Kosovën si një biznes të vogël që mund të mbyllet me një vendim të vetëm.

Kjo nuk është një çështje ideologjike. Nuk ka të bëjë me të majtën apo të djathtën. Ka të bëjë me mbijetesën e shtetit”- ka potencuar analisti politik.

Advertisement