Connect with us

Kosova

Koha për Serbinë KA MBARUAR, Gjermania: Vuçiç të ndajë mendjen, me ne ose kundër nesh

Kreu i Komisionit për Politikë të Jashtme i Bundestagut gjermqn, Michael Roth, i cili u takua me presidentin Aleksandër Vuçiç gjatë vizitës së tij në Beograd, vlerësoi se atmosfera politike në Serbi është gjithnjë e më agresive dhe tha se është i shqetësuar për ofendimin që kjo e fundit i bëri Gjermanisë, e cila sipas tij, është mik i ngushtë i popullit serb dhe nëse kritikon qeverinë apo presidentin, nuk kritikon shoqërinë serbe.

Në një intervistë për TV N1, Roth tha se “situata është jashtëzakonisht shqetësuese dhe se nuk po shkon në drejtimin e duhur”.

“Dëshiroj që Serbia të jetë sa më shpejt në BE, por nevojitet një pikë kthese, një përkushtim i fortë për demokracinë dhe zgjedhje të ndershme sepse “koha po ikën” – u shpreh deputeti gjerman.

Ai vlerësoi se “BE-ja ka bërë shumë gabime në lidhje me Ballkanin Perëndimor, nuk i ka mbajtur disa premtime dhe për këtë arsye shumë njerëz në Serbi janë të zemëruar dhe me të drejtë”.

“Nëse tani, Bashkimi Europian nuk merr përgjegjësi, regjimet autoritare si Kina dhe Rusia do të rrisin ndikimin e tyre në rajon. Ata nuk ndajnë vlerat tona. Është një konflikt i rëndë vlerash të ndryshme”- theksoi Roth.

Në këtë kontekst, ai shtoi se “agresioni i Rusisë kundër Ukrainës nuk është vetëm një konflikt i armatosur, por një luftë kundër vlerave, dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të jemi të bashkuar”.

Roth u pajtua me deklaratën e Vuçiçit se biseda e tyre ishte “e hapur, por e vështirë”, duke thënë se “është gjithmonë më mirë të flasim me njëri-tjetrin, dhe jo vetëm të flasim për njëri-tjetrin”.

“Pyetja kryesore që unë i bëra presidentit Vuçiç ishte nëse ai donte vërtetë ta drejtonte Serbinë drejt BE-së dhe nëse po, si?”- tregoi Michael Roth.

Ai vuri në dukje se “si përfaqësues i një shteti evropian, do të dëshironte të inkurajonte shoqërinë dhe politikanët që të përmbushin të gjitha pritshmëritë e BE-së”, sepse, siç tha ai, “ne jemi para së gjithash një komunitet vlerash të përbashkëta, jo vetëm një treg i vetëm apo një projekt ekonomik”.

Roth tha se kolegët e tij në parlamentin gjerman ndajnë shqetësimin e njëjtë për situatën në Serbi, se ai vlerëson zhvillimin pozitiv ekonomik, por kjo nuk mjafton”.

I pyetur se si e vlerëson deklaratën e kryetares së Kuvendit, Ana Brnabiç, se nuk ka të ardhme në politikën gjermane, ai është përgjigjur me deklaratën e Michelle Obamës: Kur të godasin poshtë, duhet të ngrihesh mbi të”.

Ai iu referua gjithashtu edhe rezolutës së javës së kaluar të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për shpalljen e 11 korrikut si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë dhe dënimin e mohimit të gjenocidit dhe glorifikimit të kriminelëve të luftës, gjë që Beogradi zyrtar e kundërshtoi dhe tha se ky reagim ishte “i turpshëm” dhe kjo e kishte zhgënjyer.

Ai shtoi se askush nuk dëshiron të fajësojë serbët sepse “faji është gjithmonë një çështje individuale, por është përgjegjësi kolektive e shoqërisë serbe dhe gjermane që të thonë hapur se gjëra si në Srebrenicë nuk do të ndodhin më kurrë”.

“Nuk është qëllimi që disa t’i drejtojnë gishtat te të tjerët. E di shumë mirë që është një çështje e vështirë dhe tronditëse për njerëzit e thjeshtë dhe prandaj politikanët duhet ta udhëheqin procesin, drejt qetësimit të emocioneve. Unë nuk shoh një të ardhme të ndritur për Ballkanin Perëndimor pa pranuar krimet, pa kujtuar viktimat dhe pa pajtim”- potencoi Michael Roth.

Advertisement