Kosova
Komedia shekspiriane e Veriut/ Kurti: Fat që askush nuk u vra në protesta
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për javoren greke “To Vima”, ka shpjeguar se pas protestave dhe dhunës kundë KFOR-it, situata tani është më e qetë dhe e cilësoi thjesht “fat” faktin se “askush s’u vra” gjatë përshkallëzimit të mprehtë të situatës.
Në veriun e Kosovës është e vërtetë që “askush s’u vra”, por këtë “fat” të Kosovës kryeministri i vendit e ka krahasuar me një komedi të dramaturgut britanik Uilliam Shekspir: “Çdo gjë është mirë kur përfundon mirë”, ka shtuar kryeministri Kurti duke e (keq)cituar Shekspirin, pasiqë në teatrin e tij, skena mbyllet me shumë gjak e koka të prera.
Por, përderisa nuk mund të zbuten e as të fshihen sekuencat televizive të fytyrave të egërsuara, të gurëve dhe bombave djegëse mbi Policinë e Kosovës dhe KFOR-in që shkaktuan shumë plagë, situata në veriun e trazuar të Kosovës vështirë të krahasohet me një komedi të Shekspirit.
Kryeministri Kurti ka folur gjithashtu edhe për angazhimet që palët kanë marrë përsipër veçanërisht në fund të shkurtit në Bruksel dhe më pas në mes të marsit në Ohër, duke konsideruar se përfaqësuesit e BE-së duhej të kishin insistuar që presidenti serb Aleksandër Vuçiç të nënshkruante marrëveshjen.