Kosova
Komisioni i Helsinkit alarmon për kërcënimet e Serbisë dhe Rusisë ndaj sigurisë së Kosovës
“Kosova përballet me kërcënimet më të rrezikshme të sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor” – keshtu ka thënë Komisioni amerikan i Helsinikit në raportin e publikuar më 30 shtator, ndërsa ka sugjeruar Shtetet e Bashkuara (SHBA) të mbështesin përpjekjet e Kosovës për t’iu kundërvënë përpjekjeve destabilizuese të Rusisë dhe Serbisë.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jetë të afta për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e tyre territorial. Bosnja dhe Kosova po përballen me kërcënimet e një prishjeje fundamentale të sigurisë”- ka alarmuar agjencia e pavarur e qeverisë amerikane.
Raporti 68-faqesh i Komisionit të Helsinkit ka adresuar edhe ngërçin aktual në procesin e dialogut për normalizmin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian (BE), duke theksuar se të gjitha palët e përfshira mbajnë përgjegjësi për mungesën e progresit, duke i lënë hapësirë Rusisë të veprojë.
“Ndersa të gjitha palët mbajnë përgjegjësi për faktin se negociatat janë zvarritur për më shumë se një dekadë, rusët përfitojnë nga natyra e pazgjidhur e konfliktit. Një fund i negociuar i konfliktit dhe normalizimi midis Serbisë dhe Kosovës do ta privonte Rusinë nga ndikimi i madh politik mbi Serbinë” – thuhet ne raport.
Komisioni i Helsinkit, i cili mbledh rreth vetes 18 ligjvënës të ndarë në mënyrë të barabartë ndërmjet Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit të SHBA-së, ka përmendur gjithashtu edhe sulmin terrorist të paramilitarëve serbë vitin e kaluar në Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës.
“Pra, është në interesin e Rusisë të parandalojë një zgjidhje dhe të nxisë veprime destabilizuese nga Serbia dhe minoriteti etnik serb në Kosovë. Serbia ka influencë të thellë mbi pakicën etnike serbe të Kosovës dhe pothuajse sigurt i armatos grupet paramilitare serbe që kanë kontribuar në sjelljen e konfliktit atje në prag të luftës”.