Shkrime
Komploti ndaj Veliajt – Nga Meri Lika
Veliaj u thirr për herë të dytë nga SPAK, por ndërkohë që herën e parë ai thjesht na tregoi se nuk kishte asnjë rrezik, se kishte shkuar tek kolegët e tij e ashtu, një kafe, një raki e disa biseda rreth tavolinës me meze, kishin kaluar orë të tëra pa u ndjerë fare, këtë herë bisedat nuk paskan qenë aq të thjeshta.
Këtë herë është zbuluar Komploti, ai i ploti fare të cilin e paska ngritur një farë Nesti Angoni (Nesti me përkëdheli se në fakt duhet ta ketë Anest emrin) kundër njeriut punëtor, të palodhur, të dashur, të qeshur, të thjeshtë, kundër atij që po tretet si kandili kur s’ka vaj për të na e bërë jetën tonë më të mirë mes smogut, pagjelbërimit, në parrugët e qytetit dhe mes betonit që ai na e dhuron me aq bolllëk.
“Duke qenë se kryetari i bashkisë ka në zotërim të gjithë regjistrin civil dhe mund të verifikojë qartazi që është një kurth i sajuar.”
Dua ta zbërthej pak këtë fjali në mënyrën se si e kam kuptuar unë.
Ndoshta nuk është e aq vështirë, dreqi e mori, sa të përdor fjalën zbërthim, por më duket fjala e duhur, nisur nga fakti se do ta analizojë pak duke e interpretuar.
Në pjesën e parë të kësaj fjalie Kryetari na tregon se Ai, pra Ai dhe vetëm Ai, ka në ZOTËRIM të gjithë regjistrin civil. Të zotërosh do të thotë të kesh pronë, pra mendja ime “djallëzore” më thotë se përdorimi i fjalës zotërim nuk është i rastësishëm, por kryetari na paralajmëron që të mos bëjmë as gëk dhe as mëk se ne dhe të dhënat tona jemi pronë e tij.
Nga kjo fjali, unë kuptova se nisur nga zotërimet që pushteti ka e zbulon menjëherë “kurthin”, prandaj mos guxoni, se ka Çeçua biçak.
Vetvetiu, vetvetes sime i lindën disa pyetje:
Superman-i ynë (nuk i them superman se dua, por sepse ai do që ta quajmë të tillë me ato videot që bën duke u hedhur e duke spërdredhur nëpër bëtonet që ndërton), ka në zotërim vetëm regjistrin civil të Tiranës apo të gjithë Shqipërisë?
Po nëse Nesti do të ishte, për shembull marrim një shembull, nga Lushnja, a do të zbulohej dot “kurthi” (komplot o njeri ky është komplot i pastër jo kurth)?
Këto pyetje më shqetësuan shumë dje.
Ka do kohë që shkrimet e mia nuk i shpëtojnë dot pjesës ironike dhe e kam të pamundur të jem totalisht e hekurt në seriozitetin tim. Mendoj se kjo më ndodh ngaqë dalëngadalë po duan të na kthejnë në qenie pa mendim, pa arsyetim e për t’i bërë ballë kësaj njerzit gjejnë antidotën tek ironia njëjtë si ndodhte në diktaturë.
Ndoshta kjo është duke më ndodhur edhe mua, sepse në fakt nuk duhet të shkruaj as një rresht ironi, sepse është për të vënë kujen.
Në mes të parlamentit të vogël të qytetit të stërmadh, ku unë kam 25 vjet që jabanxhosem, “shërbëtori” im kryesor më thotë se çelësi që ia vara në qafë për të më administruar bereqetin sipas rregullave të cilat ai i ka pranuar kur o vetëofrua për të qenë qafëdhënës për këtë çelës, nuk qenka më imi, por është i tiji dhe ai bën çtë dojë me të dhe me bereqetin që unë kam brenda në sënduk.
Unë nuk bëj pjesë tek ajo pjesë e qytetarëve të cilët ecin me besimin tek SPAK-u. Ky mosbesim vjen për shkak se kam parë raste hetimesh nga kjo strukturë, kur me kast mblidhet e zbritet gabim, kur akuzat ngrihen mes një katrahure gjoja faktesh mbështetur vetëm në hipoteza dhe rrjedhime hipotetike, kam parë raste hetimesh pa mbledhur as dokumentet minimale nga bankat, apo edhe shumë raste të tjera hetimesh gjysmake të cilat justifikohen me shprehjen se janë krim intelektual që na qenka i vështirë për t’u zbuluar.
Por sot dua t’i kërkoj SPAK-ut të hetojë këtë fjali të kyetarit të bashkisë e cila tregon se të dhënat personale të qytetarëve mund të përdoren sipas qejfit të pushtetarit të radhës, ku secili prej nesh është i kërcënuar në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga gjithkush që ulet në karrige pushteti.
Mua si qytetare nuk më bëhet vonë në është ngritur kurth apo është organizuar komplot ndaj kryetarit të bashkisë, NUK MË BËHET VONË FAREEEEEE.
Mua më bëhet vonë për të drejtën time të ruajtjes së të dhënave, për të drejtën time të mbrojtjes së parave dhe pasurive publike, për të drejtën time për drejtësi.
Mua më bëhet vonë për drejtësinë që ecën me ritmin e breshkës ndërkohë që korrupsioni ecën me shpëjtësi supersonike.
Një pyetje kam unë sot për SPAK-un.
Nëse ky Nesti do më kishte denoncuar mua që nuk e kam në zotërim regjistrin civil, si do ta zbuloja “kurthin”?