Biznes
Konfindustria kundër Paketës Fiskale
TIRANË– Konfederata e Indrustrive të Shqipërisë (Konindustria) ka shprehur kundërshti të forta lidhur me paketën fiskale të propozuar nga qeveria për vitin 2023. Përmes një deklarate Administratori i Përgjithshëm, Gjergj Buxhuku shprehet se paketa fiskale 2023 është jo profesionale dhe e paplotë, duke marrë parasysh zhvillimet ekonomike të fundit në tregjet vendore dhe globale. Buxhuku thotë se qartësisht paketa e re fiskale dëmton prodhuesit vendor dhe favorizon qartësisht lobet importuese.
“Konfindustria vlerëson, se Paketa Fiskale 2023 e propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë/MFE është jo profesionale dhe e paplotë, parë zhvillimet e fundit të tregjeve vendore dhe globale dhe sidomos pasojave të krizës së energjisë. Si e tillë jo vetëm nuk mbron ekonominë kombëtare, por dëmton rëndë mbi të gjitha interesat e industrive dhe prodhimit vendor, duke favorizuar qartësisht lobet importuese,” thuhet në deklaratë.
Ai deklaroi se Konfindustria po përgatit një listë kërkesash për paketën fiskale 2023. Sipas Konfindustrisë, duhet të ndërmerren masa për uljen e taksës së qarkullimit në mënyrë që të ulet çmimi i karburanteve.
“Konfindustria është duke përgatitur listën e kërkesave për Paketën Fiskale 2023. Kërkesat kryesore të saj do të përqëndrohen në përballimin e krizës së energjisë dhe uljes së çmimeve të karburanteve. Për sa më sipër do të kërkohet në Paketën Fiskale 2023 si hap i parë, heqja e plotë të “ taksës së qarkullimit” të karburanteve me të ardhura vjetore për buxhetin e shtetit afër 160 milionë euro/vit. Ndërkohë, vlerësohet se, nëse luftohet efektivisht kontrabanda masive në tregun e karburanteve, efektet e drejtëpërdrejta buxhetore të heqjes së “taksës së qarkullimit”, jo vetëm do të jenë zero, por do të tejkalohen pozitivisht”, thuhet më tej në deklaratë.
NJOFTIMI I PLOTË:
Konfindustria vlerëson, se Paketa Fiskale 2023 e propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë/MFE është jo profesionale dhe e paplotë, parë zhvillimet e fundit të tregjeve vendore dhe globale dhe sidomos pasojave të krizës së energjisë. Si e tillë jo vetëm nuk mbron ekonominë kombëtare, por dëmton rëndë mbi të gjitha interesat e industrive dhe prodhimit vendor, duke favorizuar qartësisht lobet importuese.
Konfindustria është duke përgatitur listën e kërkesave për Paketën Fiskale 2023. Kërkesat kryesore të saj do të përqëndrohen në përballimin e krizës së energjisë dhe uljes së çmimeve të karburanteve.
Në anketën e organizuar nga Qëndra e Studimeve të Konfindustrisë për paketën fiskale 2023, pothuaj 96% e bizneseve dhe industrive kanë shprehur shqetësim kryesor për aktivitetin e tyre tregëtar përkatësisht cmimet e larta të karburanteve dhe energjisë elektrike.
Për sa më sipër do të kërkohet në Paketën Fiskale 2023 si hap i parë, heqja e plotë të “ taksës së qarkullimit” të karburanteve me të ardhura vjetore për buxhetin e shtetit afër 160 milionë euro/vit. Ndërkohë, vlerësohet se, nëse luftohet efektivisht kontrabanda masive në tregun e karburanteve, efektet e drejtëpërdrejta buxhetore të heqjes së “taksës së qarkullimit”, jo vetëm do të jenë zero, por do të tejkalohen pozitivisht. Mbështetur në të gjithë krahësimet e zhdoganimeve dhe konsumit të karburanteve me shtetet e Rajonit, jo më pak se 300 milionë euro mund të jenë të ardhura të munguara, që nuk shkojnë në buxhetin e shtetit. Gjithashtu, të ardhurat për buxhetin e shtetit do të shtohen si pasojë e rritjes ekonomike nga ulja e kostove të karburantit për industritë, biznesin dhe qytetarët. Shtysë e fortë për kontrabandën masive në tregun e karburanteve në Shqipëri është edhe niveli i lartë i taksimit.
Konfindustria vlerëson, se ulja e ngarkesës fiskale për karburantet dhe përmirësimi i menaxhimit të sektorit të energjisë elektrike, duhet të kenë qëllim arritjen e të paktën nivelit të çmimeve të vendeve të Rajonit në vitin 2023 për biznesin dhe qytetarët.