Aktualitet
Konfiskohet pallati 1200 metër katror në Farkë
Në kuadër të operacionit të konfiskimit të ndërtimeve pa leje, ditën e sotme është konfiskuar një tjetër pallat. Pas pallatit në pronësi të biznesmenit Lulzim Morina, në zonën e Liqenit në Thatë, sot është konfiskuar pallati pa leje i biznesmenit Pëllumb Salillari, me spërfaqe 1200 m2.
Jemi në zonën e Farkës në bazë të VKM-së së fundit për konfiskimin e shtesave të ndërtimeve pa leje, është verifikuar një ndërtesë tjetër e cila ka rreth 1200 m2 jashtë lejes, shtesa kati. Në zbatim të vendimit të qeverisë, këtij subjekti do ti lehen dy opsione në dispozicion, i pari është ta parablejë me shtesën që është jashtë lejesh. Opsioni i dytë është që t’i dhurojë dhe këto kat të shkojnë në favor të entit të banesave që shkojnë për banesat sociale e nëse nuk i zgjedh konfiskohet nga shteti.’- tha Çuçi.
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi bashkë me drejtoreshën e IMT-së, Dallëndyshe Bici kanë zbritur sot në terren në kuadër të operacionit të ndërtimeve pa leje.
‘Operacioni i konfiskimit të kateve e të metrave shtesë të ndërtuara në shkelje të ligjit e të lejes së ndërtimit, nuk është aspak kujtesë me vonesë siç thonë disa, po është thellim i një lufte që vazhdon prej vitesh me paligjshmërinë në ndërtim, e cila s’ka të krahasuar sot me përmasën e frikshme që kishte dje, kur s’kishte pallat që mos kishte shtesa e prapashtesa të bëra për qëllim fitimi.
Ky operacion do të ketë forcën e një vule përfundimtare mbi fatin e çdo metri katror të ndërtuar në shkelje të ligjit për shitje e fitime përtej kufirit të lejuar nga ligji.
Por ky operacion duhet të jetë edhe një mësim i mirë qoftë për ata që kujtojnë shumë gabimisht se mund t’ia hedhin me rryshfete e me marifete, qoftë edhe për ata që përbaltin papushim emrin tim apo punën e qeverisë dhe bashkisë, duke më asociuar poshtërsisht me fitime imagjinare nga ndërtimet në Tiranë a kudoqoftë.’- tha Çuçi.